Lajme Shqip Friday, 01 February 2013 11:22

TIRANË– Ambasadori Amerikan në vendin tonë, Aleksandër Arvizu kërkon intensifikimin e punës në luftën kundër korrupsionit. Gjatë një vizite në Prokurorinë e Tiranës, ku ishte i pranishëm dhe kryeprokurori Adriatik Llalla, ambasadori amerikan theksoi se është koha e duhur për të luftuar korrupsionin.

Ambasadori Arvizu, duke kujtuar se parlamenti tashmë e ka votuar ligjin për kufizimin e imunitetit ka kërkuar përkushtim e angazhim nga prokurorët në luftën pa kompromis kundër korrupsionit.

“Nuk ka punë të mjaftueshme në luftën kundër korrupsionit. Zyrtarët amerikan dhe komisionerët e BE flasin për korrupsionin. Shpresojmë të shohim më shumë arrestime.”- deklaroi Arvizu.

Nga ana e tij, kryeprokurori Llalla deklaroi se korrupsioni është një pengesë e kapërcyeshme që kërkon impenjim në zbatimin e ligjit dhe integritet të lartë profesional. Sipas tij, kufizimi i imunitetit për zyrtarët e lartë ka krijuar lehtësira në këtë drejtim.(LajmeShqip.com)