Kjo është hera e parë që Ministria e Mbrojtjes drejtohet nga një zonjë. Por ajo nuk i druhet sfidave, madje i shikon si forcë e shtuar.
“Është më e bukur puna kur ka sfida të mëdha dhe shpresoj dhe besoj që ky është edhe rasti im”, kështu shprehet ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.
Në më pak se katër muaj në këtë detyrë, Kodhelit i është dashur të ndërmarrë disa vendime të rëndësishme.
Më i bujshmi ishte denoncimi i aferave korruptive të pasardhësit të saj, Arben Imamit.
Kodheki deklaron se do të zbardhet çdo aferë korruptive në dikasterin që ajo drejton duke paralajmëruar denoncime të tjera, përveç atyre që kishin lidhje me spote publicitare për ushtrinë shqiptare.
“Puna nuk mbaron me kaq. Ky ka qenë vetëm fillimit, dhe është vetëm fillimi. Detyrimi që auditimi i brendshëm ka, apo inspektimi i Ministrisë së Mbrojtjes ka, për të bërë transparencë është një detyrim që rrjedh nga ligji dhe do të vazhdojë të jetë deri sa të zbardhen të gjitha aferat dhe abuzimet që janë bërë në këtë ministri dhe në ministritë e tjera”, shprehet Kodheli.
Një nga arritjet me të cilat Shqipëria krenohet më shumë është anëtarësimi në NATO, por 4 vjet pas këtij moment Forcat tona të Armatosura ende janë larg standardeve të kërkuar nga Aleanca e Atlantikut të Veriut.
“Ushtria shqiptare ka pasur paratë dhe mundësitë për ta realizuar këtë gjë. Mendoj që ka munguar vullneti politik për të kryer këtë investim le të themi. Paratë për të modernizuar ushtrinë shqiptare kanë shkuar në drejtime të tjera. Në funksion të pushtetit të atëhershëm apo në funksion të interesave personale , që kanë dëmtuar modernizimin dhe transformimin e ushtrisë shqiptare”, nënvizon Kodheli, shkruan shekulli.
Viti 2014 sapo ka nisur dhe Mimi Kodheli duhet të realizoje një sërë reformash e më së pari duhet të reformojë kuadrin ligjor të Forcave të Armatosura që ende funksionojnë me ligje të vitit 2002 apo 2004, por sfidat duket se i përshtaten ministres shqiptare të mbrojtjes.
Saturday, 04 January 2014 18:20