Lajme Shqip Monday, 08 August 2011 15:10

Tiranë – Nga terreni, lufta shqiptaro-serbe kaloi këto ditë në atë virtual. Përpos konflikteve fizike që Kosova i përjetoi javët e fundit me huliganë dhe kriminelë serbë në Veri të Mitrovicës, serbët filluan të sulmojnë faqe shqiptare në internet, duke i hakuar dhe duke vendosur simbole propaganduese çetnike serbe.

Lufta virtuale shqiptaro-serbe tashmë ka marrë një dimension tjetër dhe sa vjen e ashpërsohet.

Sot është thyer faqja zyrtare e “Markës së Serbisë” (“Srbija Brend”), e cila shërben për promovimin e vlerave serbe. Faqja e krenarisë së Serbisë, që njëkohësisht është edhe me prapashtesën zyrtare shtetërore (.gov.rs) është hakuar nga Grupi RBH-Crew, dhe aty është vendosur Flamuri i Shqipërisë Etnike.

Portali e ka vizituar faqen dhe ka bërë disa kapje të gjendjes faktike të faqes zyrtare, në të cilën është vendosur Flamuri i Shqipërisë Etnike, bashkë me një përshkrim në të cilin përshëndeten “vëllezërit shqiptarë dhe amerikanë” si dhe shënohet “Kosovo is Ilirida”, me mesazhin përcjellës se “Ne nuk do ndalemi me kaq, derisa ju nuk do ndaleni me fyerjet ndaj neve SHQIPTARËVE”.

Mesazhi dërgohet nga “WuL1 of Albania” në emër të hakerëve “Kuq e zi”.

Gjatë javës së shkuar ishin sulmuar dhe hakuar faqe të ndryshme shqiptare dhe kosovare, ndër to edhe tirana.gov.al,  faqja zyrtare e Bashkisë së Tiranës, assembly-kosova.org, faqja zyrtare e Kuvendit të Kosovës dhe faqe tjera të ndryshme. (LajmeShqip.com)