Gjatë një konference ndërkombëtare të zhvilluar dje në Tiranë, kryeministri Berisha nënvizoi rritjen e përdorimit të teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit pranë nivelit mesatar europian.
Por, ky pohim i kryeministrit nuk gjen mbështetje në analizat krahasuese të institucioneve të specializuara. Sipas Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve, ITU, Shqipëria ngelet vendi i fundit në Europë, për sa i takon aksesit dhe përdorimit të Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit.
Indeksi i Zhvillimit të këtyre teknologjive është një tregues që llogaritet çdo vit nga ITU dhe përbëhet nga pesë nëntregues kryesorë: përdorimi i linjave fikse, i telefonisë celulare, shpejtësia mesatare e internetit për përdorues, numri i familjeve me kompjuter dhe numri i familjeve me lidhje interneti.
Në këtë renditje, Shqipëria mban vendin e 78-të në botë dhe Indeksi i Zhvillimit të Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit, IDI, është në nivelin 3.61. Krahasuar me vlerësimin e vitit 2008, Shqipëria ka fituar tre vende në renditje. Vendin e parë në botë për këtë indeks e zë Korea e Jugut, ku indeksi IDI është 8.4, e ndjekur nga Suedia dhe Islanda.
Kroacia renditet e para në Rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe e 31-ta në Botë, me indeks IDI në vlerën 6.21. Edhe vendet e tjera fqinjë janë ndjeshëm përpara Shqipërisë në këtë renditje.
Analiza ITU, organizmi më i specializuar në këtë fushë, tregon qartë se, megjithë përparimet e bëra, Shqipëria ngelet ende prapa në përdorimin e teknologjive dhe nuk ka ka vend për vetëkënaqësi, kur krahasojmë veten me nivelin mesatar rajonal dhe europian.
Wednesday, 09 November 2011 09:40