Kryeministri Edi Rama thekson se shifrat e publikuara për borxhin e paregjistruar janë reale, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës së janë trillime dhe të falsifikuara. Në seancën e sotme parlamentare, kreu i qeverisë theksoi se të ardhurat në vend kanë regjistruar rritje, dhe kjo është reflektuar edhe në rritjen e konsumit. Sipas Ramës, këto zhvillime janë vlerësuar edhe nga FMN dhe Banka Botërore, të cilët besuan qeverinë Rama duke nënshkruan marrëveshjen e kredisë.
Seanca e sotme parlamentare ka nisur me debate lidhur me programin e Kuvendit për periudhën 14 prill-23 maj.
Deputeti i Partisë Demokratike Eduard Halimi akuzoi parlamentin për shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, duke iu referuar vendimit për shkarkimin e ish-kreut të ILDKP.
“I kemi bërë të qarta shkeljet e ligjit dhe Kushtetues në këtë parlament. Të anulojë vendimin e datës 20 shkurt që shkarkoi kreun e institucionit që kontrollon politikanët.
Sulmi ndaj ILDKP, zaptimi i këtij institucioni dhe marrja e të gjithë pushteteve në një dorë po e çon në udhëkryq demokracinë në këtë vend”, tha Halimi.
Më tej, Halimi, akuzoi qeverinë se nuk ofron konsensusin për reformën territoriale, ndërsa tha se veprohet ndryshe nga sa i premtohet partnerëve ndërkombëtarë edhe për reformën në drejtësi.
“Ndërkombëtarët i thonë Ramës bashkëpuno me opozitën, ndërsa ata nuk ofrojnë konsensusin për reformën territoriale. Por thonë i kemi votat. Nëse e kanë seriozisht reformën në drejtësi le të bashkëpunojnë me opozitën, dhe jo sa për sy e faqe para partnerëve ndërkombëtarë”, tha Halimi.
ORA 13:40 MIMI KODHELI: QEVERIA BERISHA KEQPËRDORI INSTITUCIONIN E PRESIDENCËS
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli akuzoi opozitën për shkelje të Kushtetues, dhe keqpërdorim të institucionit të Presidencës, duke u shprehur se qeveria Rama-Meta nuk e ka bërë këtë. Ndërkaq, ministrja Kodheli tha se institucioni që ajo drejton po harton një strategji të re të mbrojtjes.
“Kur erdha në detyrë si ministre, Shqipëria kishte 4 vjet në NATO, për në dokumentin strategjik lexova “Synimi ynë është të bëhemi anëtarë të NATO-s. Mendoj se ka ardhur koha të nderuar politikanë të reflektoni. Ne po hartojmë një strategji të re të mbrojtjes që duhet të ishte hartuar nga ju sapo vendi i anëtarësua në NATO.
Ju në jo pak raste keni shkelur Kushtetutën, dhe keni keqpërdorur institucionin e presidencës. Ju keni prekur përgjegjësitë e presidentit dhe sot na thoni ne. Nuk preket e drejta kushtetuese e presidentit”, tha ministrja Kodheli.
ORA 13:30 TOPALLI: KALENDARI JUAJ NUK KA ASNJË REFORMË, ËSHTË RRITUR PAPUNËSIA
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se qeveria “Rama” ka dështuar në të gjithë fushat dhe i bëri thirrje për të disatën herë të mos merret me shifra pasi “bëhesh qesharak, bëj më mirë ndonjë pikturë se do të jesh i suksesshëm”, tha Topalli. Kalendari i qeverisë, vijoi Topalli nuk ka asnjë projekt për reforma, për punësim,për sigurisë e bizneseve por vetëm për rritjen e taksave”.
Sot shtoi Topalli, “shqiptarët janë më të varfër dhe dalin në mediat e huaja vetëm për drogë”. “Arrogancë jo vetëm me ligjet por edhe me partnerët dhe të huajt”, vijoi ish-kryetarja e Kuvendit.
ORA 13:10 RAMA: VENDI KA NEVOJË PËR REFORMA RRËNJËSORE, OPOZITA MOS BËHET QESHARAKE
Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë akuzat e opozitës për ulje të të ardhurave, duke theksuar se në 6 muajt e qeverisjes PS-LSI janë ulur taksat për 97% të shqiptarëve dhe është rritur konsumi. Kreu i qeverisë theksoi se vendi ka nevojë për reforma rrënjësore. Duke u ndalur tek situata me borxhin, Rama tha se shifrat janë reale.
“Opozita të mos bëhet qesharake, pro të kthehet në realitet. Jemi këtu për të prodhuar më shumë ligjshmëri. Vendi ka nevojë për reforma rrënjësore. Të ardhurat janë rritur vërtet në 6-mujorin e fundit. Taksat janë ulur, nuk janë rritur siç thoni ju. Shqiptarët e dinë se taksat janë ulur. Konsumi i shtresës së mesme dhe të ulët është rritur. Dhe kjo vjen në sajë të rritjes së fuqisë blerëse. Nga ana tjetër kreditë e këqija i latë në gjendje alarmante. Kreditë e këqija erdhën si rezultat i bllokimit që i bëtë ju ekonomisë. Mirë ne, po si mundet FMN dhe BB të njohin një shifër që nuk qenka reale, siç thoni ju. Jo, ato nuk gabojnë në këtë pikë. Nga ana tjetër flisni për energjinë, e diskutoni, duke pretenduar se keni bërë sukses në këtë sektor. Edhe pse e keni lënë vendin në situatë katastrofike”, tha kryeministri Rama.
ORA 12:45 BERISHA: RRITËT 21 TAKSA, PO VARFËRONI QYTETARËT
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi qeverinë Rama se ka rritur 21 taksa, duke rritur nivelin e varfërisë në vend.
“Rritet 21 taksa dhe tarifa të cilat po i shtyjnë të varfrit çdo ditë e më tepër në mjerim. Energjinë drejton një njeri qe thotë se në 8 vite nuk është investuar një qindarkë në shpërndarje. Por gabohet. Kjo do të thotë se ai nuk di se është shpërndarja, prodhimi, transmetimi, por di vetëm të vjedhë”, u shpreh Berisha.
ORA 12:35 GJIKNURI-BERISHËS: KRIJOVE NJË KUFOME ENERGJETIKE, JO SUPERFUQI
Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha se me “politikat për superfuqi energjetike, ka shkaktuar një kufomë energjetike”.
“Për shkak të politikave të tua për një superfuqi energjetike, krijove një kufomë energjetike, krijove dëme në energjetikë që duhet t’i paguajnë shqiptarët. Ndoqët politika të gabuara në energjie. Do të liberalizojmë tregun. Duhet edhe t’i kërkoni ndjesë publikut për situatën e krijuar”, tha Gjiknuri.
12:25 BERISHA: MASHTRONI NË MËNYRË MONSTRUOZE PËR BORXHIN E PAREGJISTRUAR
Në replikë, ish-kryeministri Berisha tha se mazhoranca PS-LSI mashtron me shifrat e publikuara sa i takon borxhit të paregjistruar, apo të ardhurave.
“Nëse ka shqiptar që beson se numri i turistëve dhe vizitorëve në muajt korrik, gusht, shtator ka qenë më i ulët se në muajt prill, maj, qershor, statistikat tuaja janë më të besueshmet në botë. Por një njeri me minimumin e intelektit nuk do t’i besojë diçkaje të tillë. Ju po falsifikoni, neve si kundërshtarë vetëm lehtësira na krijoni. Keni mashtruar në mënyrë monstruoze për borxhin e paregjistruar 720 milionë, dhe mbi të ndërtuar piramidën, e quajtët të përligjur nga FMN. Ky është një mashtrim total. Deklaroni se keni të ardhura më shumë. Por nuk është e vërtetë”, tha Berisha.
12:20 BRAÇE: QEVERIA BERISHA, PËRGJEGJËSE PËR NGADALËSIMIN E RRITJES EKONOMIKE
Deputeti i PS-së Erjon Braçe akuzoi qeverinë Berisha për ngadalësimin e rritjes ekonomike të vendit, duke u ndalur edhe tek borxhi i paregjistruar.
“Përgjegjësi për ngadalësimin e rritjes ekonomike të këtij vendi, dalin këtu dhe kërkojnë llogari për dëmin që i kanë shkaktuar ekonomisë së këtij vendi. Është e vërtetë që raporti FMN vëren ngadalësim të ritmit të rritjes ekonomike për 2013, por për këtë kanë folur edhe në vitet e kaluara. Është fare e qartë se çfarë ka ndodhur në të katër tremujorët e 2013. si mund të flasësh për borxh të paregjistruar, kur ti je përgjegjësi, i zhyte kompanitë në vështirësi, dhe nuk u paguan. E ke lënë Shqipërinë kantier ndërtimi nga viti 2008”, tha Braçe.
ORA 12:15, BERISHA: AMNISTI PËR FATURAT E ENERGJISË PËR FAMILJET ME NDIHMË SOCIALE DHE PESNIONISTËT
Ish-kryeministri Sali Berisha kërkoi në parlament që qeveria t’i jap amnisti për energjinë gjithë familjeve që mbahen me ndihmën sociale dhe shtresën e pensionistëve pasi ata “as tani dhe as pas 5 vitesh nuk do të mund të pagujnë faturat e energjisë.”
Ndërsa hodhi poshtë akuzat e ministrit të Energjetikës dhe të Industrisë, Damian Gjiknuri se në 8 vite nuk ishte investuar në sektorin e energjisë, Berisha u shpreh se qeveria e majtë se është kundër ndërtimit të hidrocentraleve.
“Gjinkuri tha se në 8 vite nuk është investuar në energji. Kjo është e pavërtetë. Ju çdo gjë e bazoni në një model të sajuar nga ju vetë, që nuk ekziston. Vetëm në transmetim janë investuar në 8 vite 800 mln euro”, tha Berisha.
“Tani duhet të ndërtohen hidrocentralet jo të përzihen investitorët që ata të vjedhin nëpërmjet importit të energjisë një shtet që shkel kontrata është një shtet zuzar”, vijoi ai.
ORA 11:50 POLLO: QEVERIA SULMON INSTITUCIONET E PAVARURA
Deputeti Genc Polli është ndalur tek rasti i shkarkimit të titullares së ILDKP, duke e quajtur të paligjshëm këtë veprim. Ndërsa ka akuzuar qeverinë se po sulmon institucionet e pavarura
“Qeveria ka sulmuar institucionet e pavarura, për të kapur domenin, për të sulmuar opozitën. Që nga 20 shkurti, shumica në mënyrë të paligjshme ka shkarkuar titullarin e ILDKP. Ne kemi dorëzuar padi në Gjykatën Kushtetuese. Kjo nuk është një situatë normale në parlament”, tha Pollo./Shqiptarja/
Thursday, 10 April 2014 14:09