Pas akuzave të ish-ministrit të Brendshëm Flamur Noka, se djali i deputetes Luiza Xhuvani po gjuan me armë në Lazarat, kjo e fundit i ka telefonuar menjëherë të birit dhe ka dalë për ta pritur në hyrje të Kuvendit, për të vërtetuar se ai ndodhet në Tiranë dhe nuk ka asnjë lidhje me të shtënat e grupit kriminal kundrejt Policisë së Shtetit.
Gjatë fjalës së tij sot në Kuvend, deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka tha se mes të rinjve që po qëllojnë në Lazarat është edhe djali i deputetes së PS-së, Luiza Xhuvani.
“Pse i lajmëruat trafikantët të largohen?! Atje po gjuan djali i Luiza Xhuvani. Nëse nuk ka qenë, sille djalin për 30 minuta këtu dhe ti kërkojmë ndjesë”, tha Noka.
Ndërkohë deputetja Xhuvani deklaroi se djali i saj nuk ka asnjë lidhje me akuzat:
“Nën përgjegjësinë dhe moralin tim, i bëj thirrje deputeteve, Flamur Nokës, i cili ka informacione, që të vijë tani në shtëpinë time dhe nëse se gjejmë atë në shtëpi, unë nuk futem më në Parlament. Aman nëse është, duhet të më kërkoni të gjithë falje publike. Im bir s’ka lidhje me këtë çështje”, tha deputetja Xhuvani.
Pak minuta më vonë, Kostandin Xhuvani (djali i deputetes), ka zbritur nga një automjet dhe pasi ka takuar nënën e tij, në praninë e kamerave, është larguar sërish.
Dy ditë më parë, në një lidhje telefonike në ‘Neës24’, Kostandin Xhuvani deklaroi se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjet e ndodhura në Lazarat, duke theksuar se ka prova që vërtetojnë se ai ka qëndruar gjatë gjithë kësaj kohe në kryeqytet. Kjo deklaratë erdhi menjëherë pasi, emri i djalit të deputetes Luiza Xhuvani u përfshi në listën e personave që sipas policisë, kanë qëlluar me armë në drejtim të efektivëve në Lazarat. Sipas Xhuvanit, emri i tij në listë mund të jetë përfshirë gabimisht.
“Unë kur e pashë emrin u shqetësova. Nuk e kuptova pse ndodhi. Si tifoz i sportit kam qenë duke parë ndeshjen në një lokal tek ‘Piazza’, në një ambient me kamera. Kam luajtur edhe një skedinë. Edhe sot jam në shtëpi. Nuk e di fare për çfarë ndodhi kjo. Mbase është një lapsus, një gabim. Por unë nuk kam lidhje me këtë histori do tu lutesha mos të më përmendnin. Nuk kam asnjë lidhje me Lazaratin. Nuk më lidh asgjë me atë vend aty. Nuk kam përse të paraqitem në komisariat. Kam prova që jam këtu në Tiranë. Besoj do jetë ndonjë ngatërresë, apo gabim nuk e di. Unë nuk kam lidhje fare me emrin në listë dhe as me Lazaratin. Kam venë skedinë rreth orës 4 të drekës, e kam dhe skedinën me vete, rreth orës 10:00 të mbrëmjes se djeshme kam qenë tek ‘Piazza’ në një lokal që ka kamera. Është thjesht një gabim. Nuk kam të bëj fare me Lazaratin apo Gjirokastrën. Nuk njoh askënd atje”, deklaroi Kostandin Xhuvani.
Thursday, 19 June 2014 15:00