E ndërsa informacioni i SHISHit bëhet kryefjalë beteje mes institucioneve, në lidhje me hetimin dhe përgjimet e grupit të celulës së terrorit në vend vijnë informacione të reja. Sipas të dhënave bëhet me dije se SHISH ka mbledhur të dhëna mbi qëllimin e ikjes së xhihadistëve bashkë me gratë dhe fëmijët e tyre në drejtim të vendit të luftës. Edhe pse ende nuk bëhet e ditur se sa është numri i grave që kanë ikur në drejtim të Sirisë, SHISH-i është njohur me informacionet që vijnë nga disa arabe, ku femrat shkojnë me dëshirën e tyre për të qëndruar krah xhihadistëve, pasi pretendohet se ushtarët që luftojnë në mbrojtje të vëllazërisë myslimane janë pa familjet e tyre dhe respektivisht janë edhe pa gratë e tyre. Pas informacioneve të shumta se disa prej shqiptarëve të rënë në Siri, kanë lënë gratë dhe fëmijët në kampet e luftës, mësohet se janë përpiluar të dhëna shtesë në lidhje me aktivitetin e këtyre grave në Siri, pasi tashmë shqetësimi më i madh mbeten fëmijët e mitur, fati i të cilëve vijon të mbetet mister.
Gjithashtu, në kuadër të hetimeve intensive për të zbuluar se si funksiononte celula terroriste e Tiranës, bëhet me dije se SHISH-i po punon mbi të dhëna të ndryshme për persona që mendohet se janë pjesë e stafit të ambasadave arabe në vendin tonë, për të cilët ka dyshime se janë ideatorë si dhe përkrahës të xhihadizmit. Mirëpo, ndërsa SHISH dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda vijojnë të mbushin dosjet në lidhje me aktivitetin e Genci Ballës dhe të gjithë ndjekësve të tij, tashmë janë familjarë të viktimave të cilët trokasin në prokurori për të treguar gjithçka dinë mbi kontaktet e njerëzve të tyre me dy imamët e vetëshpallur, të cilët janë edhe përgjegjësit kryesorë për ngritjen e mekanizmit të xhihadizmit në vendin tonë.
Hetimi i grave të xhihadit
Pas denoncimit të burrit nga Shkodra, i cili i tha prokurorisë se ish-gruaja e tij kishte ikur me Genci Ballën tri vite më parë dhe nga të dhënat e tij besonte se ajo dhe i biri kishin përfunduar në kampet e luftës në Siri, ekspertët e hetimit nisën të verifikojnë të gjithë personat, të cilët janë më shumë se 70, që kanë ikur në drejtim të Turqisë. Kalimi i grave dhe i fëmijëve në drejtim si të Turqisë, ashtu edhe kalimit në drejtim të Sirisë bëhet me një mekanizëm mjaft të lehtë dhe dyshohet se janë të shumta gratë që kanë shkuar në vendin e xhihadit. Alarmi për femrat arabe që shkonin në drejtim të Sirisë fillimisht u dha edhe nga mediet britanike, por që i referoheshin vetëm vendeve të botës arabe, ndërsa shërbimet sekrete ndërkombëtare informuan edhe në lidhje me gra që iknin nga vendet e rajonin të Ballkanit.
Madje në konfliktin e Sirisë, dyshohet se është zbuluar edhe një tjetër konflikt mes ushtarëve ballkanas që luftojnë, ndonëse ende nuk bëhet fjalë për shifra dhe fakte konkrete. Kështu, nga të dhënat e Krimeve të Rënda bëhet me dije se përveç Almira Kastratit, gruas nga Shkodra që u martua me Genci Ballën dhe mori të birin 4-vjeçar dhe u largua në drejtim të Sirisë, janë edhe gruaja e Hamit Muslisë, pukjanit të vrarë vitin e kaluar si dhe gruaja e Hasan Korvafajt, që të dy viktima. Njëkohësisht bëhet me dije se bashkë me këto dy gra janë edhe fëmijët e tyre, ndërkohë që sipas të dhënave që ka mbledhur policia janë edhe gratë e dy prej personave të zhdukur që vijojnë të jenë në vendin e luftës.
Konflikti mes xhihadistëve të Ballkanit
Ekspertë të çështjeve ndërkombëtare që po merren me statistikat e kampeve rivale të luftës së Sirisë flasin për një rekrutim masiv nëpër vendet e Ballkanit. Janë Bosnja dhe Kosova që kryesojnë me shifra të larta pjesëmarrjeje, ndërsa Shqipëria sipas tyre ka numër relativisht më të vogël, ndonëse kalimi i tyre drejt Sirisë nuk është diçka që ka ndodhur kohëve të fundit. Të dhënat flasin se në të vërtetë në drejtim të Sirisë ka edhe luftëtarë serbë, të cilët janë vendosur përkrah regjimit të Bashar Al Assad.
Madje, sipas të dhënave, saktësohet se rreshtimi i këtyre ushtarëve përkrah regjimit të qeverisë së Assad, ka zemëruar kryesisht xhihadistët e Kosovës, të cilët kanë shkuar të luftojnë pikërisht kundër këtij regjimi pasi në radhët e tyre janë renditur serbët. Janë të shumta predikimet e imamëve të Kosovës që e pranojnë këtë fakt, ndërsa mësohet se ushtarët serbë të cilët shërbejnë në radhët e qeverisë kanë një pagë ditore rreth 2 mijë euro, ndërkohë që shqiptarët dhe luftëtarët e tjerë ballkanas, që janë renditur në grupet kundër Assad, që pretendohet se janë edhe të mbështetur nga Al Qaeda, luftojnë vetëm në emër të Allahut.
Lajmi i vrasjes së pukjanit Hamit Muslija
SHISH ka mbajtur nën përgjim dy imamët e vetëshpallur dhe ka depozituar në prokurori pjesë nga këto përgjime. Faktet flasin për mënyrën se si imamët predikonin dhe lajmëronin besimtarët nëpër xhamitë e tyre për vrasjet e xhihadistëve shqiptarë. Në këto ambiente, sipas të dhënave, kishte edhe fëmijë, të cilët njiheshin me situatën e vrasjeve në vendin e luftës. Kështu mësohet se është përgjuar edhe Bujar Hysa, imami i xhamisë së Mëzezit, që njoftonte ndjekësit edhe për vrasjet, të cilët i quante “shehid”. Sipas përgjimit që gjendet në dosjen kundër imamëve, mësohet se me datën 10 tetor 2013, besimtarëve të tjerë imami iu bën të ditur se kishte rënë në luftë Hamit Muslia, i njohur mes besimtarëve me emrin Ebu Enesi.
Hysa mësohet të ketë thënë: “Nga muxhahidët shqiptarë që janë në Siri, ka rënë shehid vëllai mysliman me emrin fetar Ebu Enesi nga Lapraka dhe është vëllai musliman Hamit Muslija. Inshalla Ebu Enesi, ka rënë shehid, e ne duhet të gëzohemi për këtë gjë, të gëzohemi për të që Allahu ia mundësoi xhehnetin (parajsa) si shehid. Ne duhet të mërzitemi për vetet tona që allahu nuk na e ka mundësuar shehidllikun, e inshalla ia mundëson secilit prej nesh dhe çdo myslimani të devotshëm. “/shekulli/
Wednesday, 19 March 2014 15:14