Lajme Shqip Friday, 27 June 2014 23:35

Pas aksionit të Policisë së Kosovës, dy ditë më parë kur vunë në pranga tre shtetas nga Kaçaniku, të cilët akuzohen për pjesëmarrje në organizatën terroriste Al-Nusra, ka ndërhyrë edhe policia jonë për të vënë në pranga një emër që në fakt ka dalë gjatë përgjimeve mbi grupin xhihadit. Ndërhyrja është kryer orëve të vona të mbrëmjes së sotme në zonën e ‘ish-Frigoriferit’ në rrugën “Siri Kodra”, ku është arrestuar Altin Demirlika, një 28-vjeçar nga Burreli. Bashkë me të, sipas të dhënave të policisë është arrestuar edhe një shtetas kosovar, ndërsa që të dy akuzohen si persona që rekrutonin besimtar me qëllim për t`i dërguar në luftën e Sirisë. 

Arrestimet janë kryer nga seksioni i Antiterrorit të policisë së Tiranës në bashkëpunim me DFON-në. Emri i shtetasit nga Kosova nuk bëhet me dije, ndërsa saktësohet se Demirlika mbahej nën vëzhgim dhe përgjim që në shkurtin e këtij viti, kohë kur u ndërhyrë në disa operacioni që kulmuan me arrestimin e dy imamëve të vetëshpallur, aty të xhamisë së Unazës së Re dhe të xhamisë së Mëzesit. 

Të dy këta imamë, mbajnë edhe peshën kryesore të akuzave të ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa arrestimet e mbrëmjes së sotme mësohet se kanë ardhur edhe si rezultat i hetimeve të dala nga prangosjet e tre shqiptarëve të Kaçanikut të Kosovës. Demirlika mësohet se ka qenë i dyshuar prej muajsh si pjesëtar i grupit të xhihadit, madje sipas policisë ka dyshime që ai mund të ketë shkuar edhe në Siri për luftime.

“Më datë 07.01.2014 ora 19.52 personi me nr. 0672886422 merr Bujar Hysën dhe i thotë se Enesi ka postuar një video ku ka dalë ai shoku që ka ikur bashkë me atë që ka lënë fuaristradën atje te Xhamia. Flet dhe shqip dhe arabisht për ata personat që kanë marrë peng. (Fuoristradën te xhamia e ka lënë Altin Demirlika, Mitsubishi Pajero me targe AA 503 CH)”.