Lajme Shqip Thursday, 26 December 2013 15:07

Bash kur kryeministri i tashëm i Shqipërisë, Edi Rama, festonte fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit, bashkëshortja, znj.Linda, u nis drejt Prishtinës. Atë fund qershori, do t’i bënte një vizitë në shtëpinë e tij në Prishtinë, akademikut Rexhep Qosja. Një prej mbështetësve më të fortë të të porsazgjedhurit për të qeverisur Shqipërinë, në datën 25 të atij muaji festonte ditëlindjen. Në pjesën e fundit të intervistës për “Gazeta Shqiptare”, profesor Qosja rrëfen dromca të takimit dhe ndan me ne mendimin për Linda Ramën. 

Ndërkaq, përkundër përshtypjes që mund të krijohet, ngase ka një dashamirësi e respekt të ndërsjellë (shprehur publikisht) mes kryeministrit Edi Rama e Rexhep Qosjes, akademiku thotë se ata janë takuar vetëm dy herë: së pari, kur Rama qe ende kryebashkiak e së dyti për 100-vjetorin e Pavarësisë. Profesori, nuk pranon të jetë “këshilltar” në hije i Ramës, veçse lë të kuptohet se është bota e librave dhe e artit që i përpjek kohë mbas kohe me njëri-tjetrin. 
Zgjedhjet e fundme në Kosovë, fituesit e humbësit dhe arsyet që çuan në këto përfundime, vijnë fort mirë përmes një analize. 

Rikthehemi tek zgjedhjet në Kosovë, të cilat, duket se treguan që nuk ka më bastione partish. Qëndron ky konstatim? 

Është e vërtetë se disa nga ato që ju i quani bastione partish kaluan në duart e disa partive të tjera. Megjithatë nuk mendoj siç po mendojnë e po shkruajnë disa gazetarë, publicistë e veprimtarë politikë: nuk mendoj se këto zgjedhje ishin revolucionare! Them kështu për arsye se në numrin më të madh të qyteteve dallimi në numër të votave mes fituesve dhe humbësve ishte kryesisht i vogël. Kjo tregon se elektorati ynë me një pjesë të madhe të tij nuk sheh ende krejt ç’duhet të shihet në jetën politike kosovare. 

Cilat parti, sipas mendimit tuaj, dolën më keq në këto zgjedhje? 

Është një bindje më e përgjithshme se në këto zgjedhje më së keqi kaluan dy partitë e krijuara prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; dhe këto janë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës. Ju mund të shtroni pyetjen pse ndodhi kjo? Janë disa arsye, por kryesoret mund të jenë: e para është zyrtarizmi i tyre jodemokratik dhe veçimi prej popullit dhe, e dyta është pasurimi i shpejtë, shumë i shpejtë i disa zyrtarëve të vegjël e të mëdhenj të këtyre dy partive. Mendja e shëndoshë nuk mund të pajtohet që një, ta themi, i varfër i djeshëm për dhjetë vjet të bëhet milioner i sotëm me pasuri që përmban pallat, firma, dyqane, aksione në firma, pompa benzine, vetura luksoze të djemve e bijave, kursime jashtë Kosovës e të tjera. Të pasuruarit ndoshta nuk mund të marrin me mend se te shumë qytetarë, në mënyrë të veçantë te ata të shtresës së mesme, është krijuar disponim negativ për ta. 

Zgjedhjet, për shumëkënd në Kosovë e në Shqipëri ishin befasuese… 

Ishin befasuese. Dhe, ishin befasuese në radhë të parë sepse nuk fitoi kandidati politikisht dhe kombëtarisht më i merituar për të fituar: Agim Çeku. Dhe, ky drejtues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shefi i Shtabit të saj të Përgjithshëm, shumë i autoritetshëm, me prestigj të paluhatshëm, me merita historike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, që kishte program shumë të mirë, që u paraqit jashtëzakonisht bindshëm në fushatë, humbi sepse partisë së tij, Partisë Demokratike të Kosovës, ka ardhur duke iu zvogëluar elektorati edhe ashtu i paktë në kryeqytetin e Kosovës. 

Dhe, fitoi Vetëvendosja? 

Nuk fitoi Vetëvendosja, së cilës po ashtu iu zvogëlua numri i votave në shumicën e qyteteve, por fitoi anëtari i saj, Shpend Ahmeti. Nuk e njoh këtë djalë, nuk e kam takuar ndonjëherë, por me sjelljen e tij, me mendimet e tij, me modestinë e tij, në përgjithësi me moralin e tij politik social ai lë përshtypje jashtëzakonisht të mira. Në qoftë se do të sillet, do të veprojë dhe do të mendojë siç po paraqitet e po mendon tani unë do të doja që Kosova të ketë më shumë Shpend Ahmeta dhe më shumë Mimoza Kusara-Lila. Të ketë më shumë Shpenda e Mimoza që edhe në zgjedhjet e herave të tjera ta lirojnë Kosovën prej atyre të cilët na kanë bindur se në vend se për Kosovën mendojnë për pushtetin e vet dhe leverditë e veta. 
Profesor, dimë që pas fitores së Partisë Socialiste të Shqipërisë më 23 qershor, ju patët një vizitë në shtëpi nga zonja Linda Rama dhe morët një buqetë lule edhe me rastin e ditëlindjes suaj, që ishte më 25 qershor. 
Shpesh, ndoshta më shpesh se ç’ju shkon mendja juve, unë kam vizita në shtëpi dhe marr buqeta lulesh jo vetëm për ditëlindje, prej dashamirëve e lexuesve të mi nga Kosova, nga Shqipëria, madje edhe nga shqiptarë të diasporës. Këta mysafirë, herët më të shpeshta, vijnë të më urojnë dhe të më falënderojnë për librin tim që kanë lexuar si dhe për shkrimet që botoj në gazeta për çështje, dukuri, probleme politike në Shqipëri e në Kosovë, për politikanë që kritikoj dhe për qytetarë që mbroj prej sulmeve të tyre politike. Një prej këtyre mysafirëve të mi të çmuar ishte edhe zonja Linda Rama. Ajo erdhi të më falënderonte për shkrimin me të cilin e mbrojta prej akuzave të gënjeshtërta të kryeministrit të Shqipërisë dhe të trabantëve të tij politikë dhe publicistikë. Ajo erdhi të më falënderonte për mbrojtjen prej fanatikëve partiakë politikë të cilët, duke trilluar gënjeshtra për Linda Ramën dhe për familjen e saj fisnike, mendonin se do ta përtrollisnin politikisht kryetarin e Partisë Socialiste, bashkëshortin e saj, Edi Ramën. Zonja Linda Rama, grua me edukatë shembullore familjare, me kulturë të gjerë, me natyrë e me sjellje të fisme, bëri çka bëhet gjithnjë në Evropë: shpërbleu mirësinë me falënderim, me mirësi. Dhe, erdhi të falënderojë intelektualin për mbrojtjen e së vërtetës dhe të dinjitetit të një qytetareje të akuzuar padrejtësisht. 

A mund të na thoni, këshillohet zoti Edi Rama me ju? 

Me kryeministrin e sotëm të Shqipërisë jam takuar gjithsej dy herë: herën e parë me rastin e zbulimit të bustit të Naim Frashërit para disa vitesh në Tiranë dhe, herën e dytë, me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë. Po mund të them se me Edi Ramën jam takuar dhe takohen më shpesh në librat dhe në shkrimet e mia publicistike dhe në librat, në artikujt e në veprat e tij artistike. Si unë ashtu, besoj, edhe Edi Rama mendojmë se këshillat e marra prej librave dhe shkrimeve të tjera janë më të thella, më të qëndrueshme e më afatgjata sesa këshillat gojore.