Akademiku Rexhep Qosja ka refuzuar të përfshihet në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës që ka ndërmend ta hartojë ASHAK-u. Në një letër drejtuar Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Qosja shpjegon dhe arsyet se përse nuk pranon të bëhet pjesë e hartimit të fjalorit enciklopedik.
Ai shpjegon se fjalori në fakt përcjell vetëm frymën e ideologjisë së LDK-së. Qosja jep disa nga arsyet përse e kanë shtyrë të marrë këtë vendim.
Qosja tregon se në këtë fjalor në të vërtetë cënohet plotësisht dhe qëllimisht njësia e historisë, e gjeografisë, e kulturës dhe e qytetërimit shqiptar: e historisë politike, e arteve, e shkencave, e traditës dhe e jetës kombëtare në përgjithësi.
Më tej, në letrën e tij, Rexhep Qosja thotë se Fjalori në të vërtetë përmban idenë serbe, për ndarjen e kombit shqiptar në dy kombe: në kombin e shqiptarëve të Shqipërisë të quajtur albanci dhe të kombit të shqiptarëve të Kosovës dhe të Jugosllavisë në përgjithësi të quajtur shiptari ose shiftari.
Po ashtu, ai shpjegon se në staf ka nepotizëm në përzgjedhjen e përpiluesve të Fjalorit.
Në fund, Qosja shprehet se refuzon të bëhet pjesë e stafit të përpilimit të një fjalori të tillë. /albeu/
Saturday, 29 March 2014 16:36