Lajme Shqip Wednesday, 11 December 2013 20:04

Tiranë- Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili është denoncuar për korrupsion, deklaroi sot se për kallzimin ndaj tij janë ndjekur procedura joligjore.

Imami kërkoi sqarime se kush ishin ekspertët që kishin verifikuar dokumentacionin, për sa kohë, sipas tij, raporti i auditit të brendshëm nuk është përfunduar, ndonëse siç tha ai, edhe ky raport nuk ka gjetur shkelje që mund të ndiqen penalisht, raporton “Zëri i Amerikës”. Ai deklaroi se në një shtet të së drejtës nuk mund të ketë hetime nga persona të paautorizuar me ligj.

Padia ndaj Imamit

 

Dy ditë më parë ministrja e Mbrotjes, Mimi Kodheli, njoftoi se kishte bërë denoncim ndaj ish-ministrit Imami për afera korruptive, që përbënin, sipas saj, vepra penale të “shpërdorimit të detyrës”, “shpërdorimit të kontributeve të dhëna nga shteti” dhe “shkelje të barazisë në tendera”. 

“Ky nuk është një kallëzim i zakonshëm. Është një padi e mirëargumentuar dhe e përgatitur nga një grup ekspertësh që e kanë shqyrtuar deri në detaje këtë aferë korruptive. Ata kanë dalë në konkluzionin, se kush ka qenë pjesë e kësaj afere, të dalë para drejtësisë.  I kërkoj në mënyrë të veçantë Prokurorisë së Përgjithshme që të hetojë në lidhje me këto procedura që kanë çuar në abuzime të mëdha me paratë publike. Kjo nuk është aspak komode për mua apo për bashkëpunëtorët e mi, ndaj paraardhësit tim, por kjo ishte gjëja e vetme që duhet të bëja në kushtet e të ndodhurit përpara fakteve të tilla”,- deklaroi dy ditë më parë, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Imami akuzohet së bashku me katër ish-zyrtarë të tjerë, për një fond prej afër 1.2 milionë dollarësh, të dhënë për reklama televizive. Por ai i hodhi poshtë si të paqena akuzat, duke folur për një hakmarrje sipas tij personale dhe politike nga ana e kryeministrit, Edi Rama.