Ministria e Mbrojtjes padit ish-ministrin e Mbrojtjes Arben Imami dhe disa punonjës për shpërdorim detyre, kontributeve nga shteti si dhe shkelje të barazisë. Deklarata ka ardhur nga vetë ministrja aktuale Mimi Kodheli, e cila tha se padia vjen pas konkluzionit nga një grup ekspertësh. Sipas saj provat e evidentuara nga një grup ekspertësh janë të pamohueshme.
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli njoftoi sot se është dorëzuar në prokurori një kallëzim penal për paraardhësin e saj, ish-ministrin Arben Imami dhe disa funksionarë të tjerë të këtij institucioni.
Në një deklaratë për mediat, Kodheli ka theksuar se “nuk kemi të bëjmë me një kallëzim të zakonshëm, por me një padi të mirëargumentuar nga ana e ekspertëve që kanë shqyrtuar situatën e gjetur në institucion e nga e cila rezultoi se përgjegjësit duhet të përgjigjen para ligjit”.
“Kallëzimi penal ndaj ish-ministrit Imami për shpërdorim të detyrës, shpërdorim kontributesh dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender dhe ankand publik”, tha Kodheli.
Ajo i bëri apel Prokurorisë së Përgjithshme të investigojë mirë lidhur me padinë e bërë.
Imami: Përpjekje e Ramës per të çuar deri në fund hakmarrjen e tij
Ish- ministri i Mbrojtjes Arben Imami ka hedhur poshtë akuzat e ministres së re të Mbrojtjes Mimi Kodheli për abuzim me fondet e kësaj ministrie dhe shpërdorim detyre. Në një deklaratë për mediat ai u shpreh se kryeministri Edi Rama do të çojë deri në fund hakmarrjen e tij.
“Akuzat ranë se nuk kishte si mos binin, por e vetmja që nuk ra është vendimi i njeriut të çmendur për t’i shkuar deri në fund hakmarrjes personale, që ka lidhur me qëndrimet e mia lidhur me 21 janarin përgjegjësi kryesor që për mua është Rama. Të dy këta persona, kur drejtonin bashkinë e Tiranës kanë qenë të detyruar të pranojnë se reformat në ushtri kanë qenë të suksesshme, nuk ka asnjë abuzim me ligjin, paratë e taksapaguesve shqiptarë, por ishte përcaktuar armiku i kryetarit të PS e u bënë përpjekje për të montuar një akuzë false, duke akuzuar një institucion model, prej së cilës nuk do dalë asgjë.
I them Rames, se po kapërcen vijë të kuqe ligjore, etike e politike, kërcënimet e tua nuk trembin askënd e aq më pak mua”- deklaroi Imami. Më tej ai shtoi se kallëzimi penal i Kodhelit është një përpjekje për të ngritur një akuzë falsë. /ballkanweb/
Monday, 09 December 2013 17:08