Në dy muajt e parë të punës, ministritë kanë shpallur 35 tendera publikë, në vlerë totale 4.625.128 lekë apo e thënë ndryshe afro 46 mijë USD. Shuma modeste e shpenzimeve në raport me kabinetin paraardhës është një element që bie në sy por jo dhe aq referuar arsyeve që i kanë detyruar dikasteret të shpallin këto prokurime në kushtet kur kryeministri Rama përforcon gjithmonë e më shumë pretendimin se \”arka e shtetit është bosh\”. Rezultojnë katër ministri, respektivisht ajo e Brendshme; e Bujqësisë; Drejtësisë dhe e Financave, titullarët e të cilave i kanë nisur shpenzimet e fondeve të buxhetit të shtetit me blerje qumështi, kafeje, uji pa gaz, gota plastike deri dhe tek tabaka alumini, filxhanë porcelani e orendi të tjera për pritje-përcjellje si në rastin e ministrisë së Kulturës. Ndërkohë që ministria e Mirëqenies Sociale; ajo e Financës; e Arsimit si edhe e Punëve të Jashtme, më shumë sesa blerjes së këtyre asortimenteve iu kanë kushtuar rëndësi shpenzimit të fondeve publike për blerjen e detergjentëve e materialeve të ndryshme të pastrimit, duke patur kësisoj në fokus të harxhimeve, higjenën brenda institucionit.
BILETA AVIONI
Dy nga 35 tenderat e parë publikë që bien në sy në raport me të tjerët lidhen me Ministrin e Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj dhe atë të Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj. Veçantia e prokurimeve të shpallura prej dikastereve që ata drejtojnë lidhet pikërisht me faktin se janë shpenzime për udhëtime jashtë shtetit. Konkretisht ministri Veliaj ka shpenzuar nga fondet e buxhetit të shtetit afro 2 mijë USD për blerjen e një bilete avioni për itinerarin Tiranë-Boston; Boston-Tiranë, me nisje në datën 14 Tetor 2013 dhe kthim në datën 16 Tetor 2013. Arsyet e kësaj vizite nuk dihen. Ndërsa kolegu i tij Ahmetaj ka shpenzuar rreth 1.5 mijë USD për blerjen e një bilete avioni vajtje-ardhje me \”business class\” me destinacion Budapestin. Ky është i pari dhe i fundit prokurim publik që derimë tani është shpallur nga ministria e Zhvillimit Ekonomik. Në datën 18 shtator, qeveria publikoi \”Kodin Etik Ministror\”. Në nenin 30 të tij, sanksionohet se \”anëtari i Këshillit të Ministrave duhet të organizojë udhëtime efikase dhe me kosto efektive\”. Në kanë qenë apo jo efikase dhe me kosto efektive udhëtimet jashtë shtetit në rastin e ministrave Veliaj e Ahmetaj kjo mbetet në vlerësimin e Komisionit të Etikës.
KARRIGIA
Pyetja se sa kushton karrigja e një ministri, në kuptimin monetar e jo atë politik, tashmë e ka edhe një përgjigje. Është pikërisht ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri që për blerjen e karriges së tij e një tjetre rezerve ka paguar me fondet e buxhetit të shtetit rreth 1.4 mijë USD. Se çfarë kanë kaq të veçanta këto karrige për të justifikuar këtë shumë, sqarimi jepet në dokumentat e tenderit. \”Është e veshur me lëkurë të zezë në kafe, mbështetur në 5 rrota që krijojnë mundësinë e një lëvizjeje të lirshme. Karrigja duhet të kryejë të gjitha funksionet, ulje, ngritje dhe përkulje që krijon një relaks\”, – thuhet aty. A e gjeti ministri Tahiri, zyrën e tij pa karrige ku mund të ulej dhe a duhej bërë kjo blerje, mbetet një pyetje pa përgjigje.
ISMAIL QEMALI
Vendimi i qeverisë për vendosjen në zyrat e shtetit të fotos së Ismail Qemalit ka detyruar ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti të shpallë tenderin publik për blerjen e fotografisë së tij. Referuar dokumentave të këtij prokurorimi, Panariti ka porositur 20 copë fotografi me vlerë totale 75 mijë lekë./GazetaShqiptare/
Tuesday, 19 November 2013 11:54