Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri pas takimit që ka zhvilluar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë me drejtuesit e kësaj drejtorie i është përgjigjur interesimit të mediave lidhur me arrestimin e Ilir Kupës. Tahiri foli edhe për përfshirjen e të arratisurit nga burgu grek në vepra kriminale në Shqipëri.
“Unë besoj që arrestimi i Ilir Kupës është një medalje në gjoksin e Policisë së Shtetit shqiptar, Policisë së Tiranës, FNSH-së, RENEA-s, të gjithë ne pra. Keni dijeni pra për karrierën kriminale të Kupës, për atë që ka ndodhur në Greqi, për ndjekjen e vazhdueshme të Policisë greke. Përtej shkëmbimit të informacionit, lidhur me atë që ka bërë dhe bashkëpunimit me policinë greke, kemi hetuar edhe çështje të cilat kanë qenë goxha sensitive në Shqipëri. Hetimet vazhdojnë lidhur dhe me grabitje me armë që unë besoj me arrestimin e Kupës do na çojnë në rrugë të mbarë”, tha Tahiri.
– Së bashku me Kupën thuhet që kanë qenë edhe 2 persona të tjerë. A janë identifikuar këta persona dhe kush është personi tjetër i arratisur nga burgu i Trikallës që ndodhet në Tiranë?
Aksioni vazhdon edhe tani që flasim dhe unë besoj që do të ketë rezultate të tjera. Ne jemi shumë të vendosur për të luftuar krimin në çdo skutë, siç jemi shumë të vendosur që edhe ndaj atyre që e nxisin, apo e provokojnë, të bëjmë që duhet.
– Kupa ka shtënë 2 herë më armë mbrëmë dhe është parandaluar dhe një ngjarje e cila mund të sillte pasoja. Çfarë keni gjetur tjetër veç dy armëve tek Kupa dhe këta 2 persona që e shoqëronin atë janë vënë në hetim?
Mos prisni detaje prej meje. Hetimet kanë nisur së pari për shkak të arratisjes së tij në Greqi, pastaj dhe për ngjarjet që kanë ndodhur në Tiranë. Tri ditët e fundit janë intensifikuar goxha dhe rezultatet erdhën. Detaje lidhur me operacionin, s’ia vlen as t’i jap sepse vazhdon dhe unë pres rezultate të tjera. Por ndërkohë ajo që është e rëndësishme është që Policisë së Shtetit është në këmbë dhe shumë shpejt rezultatet do flasin akoma më fort sesa zëri i të gjithë atyre që çirren sot majisur panik tek qytetarët.
– Kush është i arratisuri tjetër z.Ministër?
Shumë shpejt do ta merrni vesh.
– Arrestimi është bërë vetëm si meritë e Policisë shqiptare apo edhe për shkak të bashkëpunimit me policinë greke?
Por përtej shkëmbimit të informacionit edhe hetimet lidhur me atë që ka ndodhur në Tiranë, grabitjet e fundit me armë na çuan në drejtim të mbarë”.
Ilir Kupa: Do qëlloja mbi ju por ndërrova mendje. Ju lumtë më kapët
Ilir Kupa, njëri prej të arratisurve nga burgu i Trikallas, Greqi në mars të 2013 u arrestua sot në orët e para të mëngjesit në periferi të Tiranës.
Arrestimi është kryer në një banesë në Qafën e Kasharit, dhe sipas oficerëve të policisë dhe FNSH pjesë e operacionit të arrestimit Kupa ka bërë rezistencë dhe ka qëlluar me armë në ajër kur ka parë policinë.
“Do qëlloja mbi ju por ndërrova mendje. Ju lumtë më kapët”- mësohet të ketë thënë Ilir Kupa në momentin e arrestimit, raporton “A1 Report”. Kupa ka qenë i shoqëruar edhe nga dy persona të cilët kanë arritur t’i largohen policisë./Shekulli/
Saturday, 25 January 2014 23:36