Lajme Shqip Saturday, 16 February 2013 18:23

Prishtinë – Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa, në shënimin e 5 vjetorit të pavarësisë së vendit, së bashku kanë vazhduar homazhet pranë varreve të dëshmoreve të rënë për liri, duke përfunduar me homazhe pranë varrit të presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, ku kanë vënë dhe kurora lulesh.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se në pesë vjetorin e pavarësisë, po nderojnë presidentin historik, Ibrahim Rugova.

“Jemi këtu që sot në 5 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, si përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, të nderojmë presidentin e parë, presidentin historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Ibrahim Rugova me platformën e tij politike, për liri pavarësi dhe demokraci, mobilizoi si asnjëherë më parë në historinë e shtetit tonë popullin duke e orientuar atë drejt vlerave më të mirëfillta të vendeve të Bashkimit Evropian. Duke e orientuar popullin tonë, që të jetë një vend i liri, sovran dhe shtet i pavarur, duke vendosur miqësi të përjetshme me SHBA-të”, ka pohuar Jahjaga.

Ndërsa kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, pranë varrit të presidentit Rugova ka pohuar se në 5 vjetorin e pavarësisë, po nderojnë jetën dhe veprën si dhe angazhimin shumëvjeçar të Ibrahim Rugovës, si udhëheqës i lëvizjes për liri dhe pavarësi.

“Jemi sot të gjithë së bashku që në rastin e 5 vjetorit të pavarësisë, të nderojmë jetën dhe veprën, angazhimin shumëvjeçar si udhëheqës i Lëvizjes për liri dhe pavarësi të Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova. Sot bëjmë këtë nderim institucionet e shtetit, nderon shteti i Kosovës për atë përkushtim angazhim shumë vjeçar dhe lëvizjen për liri dhe pavarësi. Andaj respektojmë sakrificat e të gjithë kontribuuesve në kuadër të saj dhe të presidentit Ibrahim Rugova, si një udhëheqës shumëvjeçar i kësaj lëvizje”, ka thënë ai.

Edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka theksuar se gjatë ditës kanë vënë kurora lulesh dhe kanë bërë homazhe tek varret e dëshmorëve dhe tek varri i Ibrahim Rugovës, si një ndërlidhje natyrshme e luftës së UÇK-së dhe të një rezistence afatgjate, për liri dhe pavarësi.

“Sot së bashku me institucionet e Republikës së Kosovës, vumë lule te dëshmorët tanë. Tani po përfundojmë te presidenti Rugova, si një ndërlidhje shumë e natyrshme e luftës së UÇK-së dhe të një rezistence afatgjate, për liri dhe pavarësi. Gjithë ne do të punojmë bashkërisht në mënyrë që ta ndërtojmë shtetin e Kosovës dhe në mënyrë që ai të bëhet sa më dinjitoz dhe të përgjigjet kërkesave dhe aspiratave që patën dëshmorët tanë dhe presidenti Rugova”, ka thënë Mustafa.

Liderët së bashku nderojnë Prekazin

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, nënkryetarë të Kuvendit si dhe ministra të kabinetit qeveritar, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Prekaz. Krerët e lartë shtetëror si dhe lideri opozitar i LDK-së, së bashku arritën në Prekaz për t’i nderuar të rënët në 5 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke filluar me homazhe tek varret e familjes Jashari në Prekaz.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, me këtë rast pohoi se sot po bëjnë nderime shtetërore, për ata që kanë dhënë shumë për lirinë e vendit, për këtë sakrificë të madhe. Ai po ashtu tha se janë aty të gjithë së bashku, që të marrin energji dhe përkushtim për angazhimin e tyre për të ardhmen e vendit.

“Jemi sot këtu, të gjithë së bashku, për të nderuar veprën dhe jetën e komandantit legjendar Adem Jashari, sakrificën e familjes Jashari, sakrificën e të gjithë dëshmorëve të UÇK-së, veteranëve invalidëve, sakrificën e të gjithë qytetarëve të vendit. Jemi sot të gjithë së bashku, të bëjmë nderime shtetërore, për këtë sakrificë të madhe, sakrificë të unitetit dhe bashkimit të gjithë shqiptarëve, të çlirimit të Kosovës. Por në të njëjtën kohë jemi këtu të gjithë së bashku që të marrim energji dhe përkushtim për angazhimin tonë të ardhshëm për integrimin e shtetit të Kosovës në strukturat e NATO-së dhe BE-së “, tha kryeministri Thaçi.

Ndërsa, presidentja e vendit Atifete Jahjaga tha se liria dhe pavarësia e Kosovës, themelet i ka pikërisht në punën dhe veprimtarinë e këtyre kolosëve, të cilët nuk kursyen asgjë që shteti i Kosovës të jetë i lirë dhe sovran.

“Liria dhe pavarësia e Republikës së Kosovës, themelet i ka pikërisht në punën dhe veprimtarinë e këtyre kolosëve, të cilët nuk kursyen asgjë, duke dhënë dhe sakrificën më sublime për shtetin e Kosovës, që të jetë një shtet i lirë dhe sovran. Një shtet që ka të ardhme të sigurt, drejtë anëtarësimit në BE dhe në miqësi të përjetshme me SHBA-të. Lavdi të përjetshme për të gjithë dëshmoret. Veprimtaria e tyre do të jetë udhërrëfyes për të gjithë gjeneratat e ardhshme”, tha Jahjaga.

Edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa tha se në këtë ditë të 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, dëshirojnë t’i bëjnë nderin atyre trimave dhe njerëzve të cilët flijuan çdo gjë për pavarësinë e Kosovës.

“Vepra e komandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari si dhe dëshmorëve të tjerë, është vepër e cila është për gjithë popullin e Kosovës, për shtetin e Kosovës. Në këtë ditë të 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, dëshirojmë që të iu bëjmë nderin atyre trimave dhe njerëzve të cilët flijuan çdo gjë për pavarësinë e Kosovës dhe shtetin e Kosovës. Andaj në mënyrë të përbashkët dolëm sot të vëmë lule, të nderojmë dhe tregojmë përkushtimin tonë për ndërtimin e përbashkët të shtetit të Kosovës”, theksoi Mustafa.(LajmeShqip.com)