Lajme Shqip Saturday, 16 February 2013 18:40

Berlin – Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për radion publike gjermane “Deutschlandradio Kultur”, ka thënë se në pesë vjetët e fundit, populli i Kosovës ka qenë në gjendje të ndërtojë një shtet nga themelet, duke filluar nga ndërtimi i institucioneve demokratike, përmirësimi i gjendjes ekonomike, modernizimi i shoqërisë, përmirësimi i sistemit të arsimit dhe shëndetësisë.

Duke folur për gjendjen në tri komunat e veriut të Kosovës, ministri Hoxhaj ka theksuar se gjendja në Mitrovicë në këto pesë vjet, por edhe më parë ka qenë e tensionuar, për shkak se Beogradi është mundur të projektoj jo stabilitet brenda Kosovës.

“Burimi i konflikteve në Ballkan ka qenë Beogradi. Shqiptarët në Kosovë, por edhe serbët e Kosovës ishin viktima të Beogradit. Prandaj, në takimin e radhës në mes kryeministrit të Kosovës, dhe atij të Serbisë, Serbia duhet t’i shpërbejë strukturat e policisë dhe të sigurisë, të cilat në 13 vjetët e fundit kanë marr peng popullatën serbe në atë pjesë”, ka theksuar Hoxhaj.

Sipas tij, pas shpërbërjes së plotë të tyre, Qeveria e Kosovës do të organizojë zgjedhje demokratike, në mënyrë që të integrojmë edhe këto komuna në institucionet e Republikës së Kosovës.

Sa i përket rolit të BE-së, Hoxhaj ka theksuar se BE ka një rol të rëndësishëm në këtë dialog, derisa Gjermania është duke dhënë një kontribut shumë të madh, në mënyrë që të përfundojë njëherë e përgjithmonë konflikti historik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. (K.N/LajmeShqip.com)