TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi sot një seancë solemne me rastin e 5-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Partia Socialiste nuk mori pjesë në seancë me pretendimin se nuk kishin pasur asnjë njoftim zyrtar për seancën e sotme. Nga ana tjetër zyra e shtypit e Kuvendit bëri të ditur se deputetët e PS-së janë njoftuar si zakonisht për zhvillimin e seancës.
Në nisje të seancës kryeparlamentarja Topalli tha se sot nderohet një nga ngjarjet më historike të kombit tonë.
“Sot ne kemi menduar të organizojmë një ceremoni të veçantë për një ngjarje historike. Pas dy ditësh festohet 5 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, ngjarja më e madhe besoj pas pavarësisë së Shqipërisë që nga koha e Skëndërbeut”, tha ajo.
Sipas Topallit, “Ne kemi festuar me krenarinë tonë të ligjshme ëndrrën tonë. Gjëja e parë që të vjen në mend ishtë ajo se ishin shqiptarët e Kosovës ata që ideuan pavarësinë e Shqipërisë”.
Kryeparlamentarja u shpreh se në këtë ditë nderohet, edhe njeriu, vizionari i Pavarësisë së Kosovës që njihet ndryshe edhe si “gandi shqiptar” Ibrahim Rugova.
“Ne kemi demonstruar në vite se jemi “një komb një qendrim, ne jemi shqiptarë, e kemi këtë status dhe e mbajmë me krenari të madhe kudo që të jemi”, shtoi ajo. Topalli nënvizoi më tej se Kosova ka avancuar në rrugën e integrimit dhe shtoi se pikërisht atje do ndodhë bashkimi I shqiptarëve, në Europë.
Republika e Kosovës u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008 dhe deri më sot është njohur nga 96 vende në mbarë botën, ndërsa pavarësia e saj vi vijon të kundërshtohet nga Serbia.
BERISHA: KOMBET ME BURRA SI ADEM JASHARI NUK VDESIN KURRË
Gjatë fjalës së tij në seancën solemne të Kuvendit në kuadër të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryeministri Berisha theksoi se liria e Kosovës është kryevepra më e madhe e shqiptarëve që nga luftërat e Skënderbeut deri në ditët e sotme.
“Pavarësia e Kosovës përbën, pas Luftës së Dyte Botërore ngjarjen më të madhe jo vetëm në lirinë e shqiptarëve, por në Lirinë e Ballkanit dhe kontinentit. Sot ne nderojmë jo vetëm një 5-vjetor, por nderojmë 125 vite dhe më shumë luftëra, përpjekje mbinjerëzore të shqiptarëve të Kosovës kundër padrejtësive që u projektuan ndaj tyre, luftën dhe përpjekjen e tyre për liri dhe dinjitet kombëtar. Sot nderojmë burrat e gratë e Kosovës që bënë që flakët e lirisë të mos shuheshin kurrë në këtë tokë shqiptare. Sot ne nderojmë burrin vigan të kombit shqiptar, një nga personalitetet më të shquara të historisë tonë kombëtare, presidentin Ibrahim Rugova. Ne nderojmë presidentin Rugova, sepse në një rast unik të Ballkanit dhe në Europë, ai zgjodhi rrugën paqësore për të promovuar një kauzë të drejtë, çështjen e shqiptarëve të Kosovës.”- u shpreh kryeministri.
Sipas shefit të qeverisë, presidenti Rugova dëshmoi se nacionalizmi shqiptar bazohet në shpirtin e lirisë dhe interesin jetik kombëtar.
Berisha theksoi se nacionalizmi shqiptar nuk ka pretendime territoriale, por bazohet në vlerat e bashkëpunimit e bashkëjetesës me fqinjët.
“Nacionalizmi shqiptar është forca udhëheqëse e çdo shqiptari për të realizuar qëllimet më fisnike të kombit tonë, për të realizuar projektin e madh të integrimit në Europë, për të realizuar bashkimin e shqiptarëve njëri me tjetrin, për të realizuar aspiratat e shumë gjeneratave që u sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin shqiptar. Ky nacionalizëm nuk ka pretendime territoriale, nuk bazohet në doktrina shfarosëse, siç bazohen nacionalizmat që na rrethojnë. Ky nacionalizëm bazohet në vlerat më themelore. Ndaj dhe ne qëndrojmë krenar të nacionalizmit tonë.”- u shpreh Berisha.
Më tej kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e tij për luftëtarët e lirisë së Kosovës si dhe alëatët ndërkombëtarë që vendosën në vitin 1999 të ndërmerrnin ofensivën ajrore të NATO-s në mbrojtje të shqiptarëve në Kosovë.
“Ne nderojmë sot kryeheroin e kombit shqiptar Adem Jasharin. Ai e shndërroi Prekazain në një Krujë të dytë, u flijua me familjen e tij për të qëndruar me dinjitet para një armiku barbar. Kombet që nxjerrin burra si Adem Jashari nuk mposhten kurrë. Kombet qe nxjerrin burra si ai nuk çedojnë në të drejtat e tyre kurrë. Liria kombëtare është liria supreme dhe pa të njeriu është veç një skllav. Gëzuar 5-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, gëzuar të gjithëve.”- përfundoi Berisha.(LajmeShqip.com)
Friday, 15 February 2013 15:39