Prishtinë (PLOTESUAR)- Policia e Kosovës demanton lajmet e publikuara nga disa media për gjoja “shtetrrethimin” e Manastirit të Deçanit, duke publikuar edhe foto që nuk korrespondojnë me realitetin dhe aktivitetin e sotshëm në Deçan.
“Policia e Kosovës njofton se sot, duke filluar nga ora 11:00, nga qendra e qytetit të Deçanit në drejtim të Manastirit, është zhvilluar një aktivitet simbolik i paralajmëruar ditë më parë nga Këshilli organizativ në përbërje prej 10 anëtarëve.Këshilli organizativ ka shprehur pakënaqësi lidhur më vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës për dhënien e pronave shoqërore Manastirit të Deçanit.Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë 10 anëtarë të Këshillit organizativ.
Policia e Kosovës paraprakisht ka ndërmarrë të gjitha veprimet policore për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, me qëllim që ky aktivitet të kalojë i qetë dhe pa incidente.
10 anëtarët e Këshillit organizativ, pas përfundimit të këtij aktiviteti janë shpërndarë të qetë.
Disa media kanë publikuar edhe lajmin se në qytetin e Deçanit është regjistruar edhe një protestë, por në fakt në qytetin e Deçanit nuk është regjistruar asnjë protestë”, thuhet në njoftimin e Zyrës për informim dhe marrëdhënie me publikun të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës.
13:33 Manastiri i Deçanit “i rrethuar”
Deçan, 8 shkurt – Mediet serbe njoftojnë se Manastiri i Deçanit, siç thonë ato, është nën “shtetrrethim”. Pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe ata të KFOR-it kanë bllokuar qasjen e demonstruesve, ekstremistë i quajnë mediet serbet’, të cilët kundërshtojnë vendimin që Manastirit t’i jepen në pronësi 23 hektarë tokë të pronës shoqërore të cilën ia kishte falur kësaj kishe regjimi i Millosheviqit në vitet e ’90 – të shekullit të shkuar.
Mediet serbe publikojnë edhe këtë foto të cilën thonë ta kenë marrë nga peshkopata e Rashkë Prizrenit. Ato shtojnë se për shkak të këtyre protestave argjipeshkvi Sava është detyruar t’i mbyllë portat e kishës për mysafirët “për herë të parë pas 13 vjetëve.”
Kjo peshkopatë në njoftimin e vet ka shtuar se “demonstruesit kanë dashur të kapin në muret e Manastirit” mbishkrimet “Ky është manastiri ynë – larg duart nga toka jonë”, e shërbyes të Kishës kanë njoftuar organet ndërkombëtare në Kosovë për “pengimin që po u bëhet për të kryer shërbime fetare në Manastir”.(Koha Ditore/LajmeShqip.com)
Friday, 08 February 2013 18:30