Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç do të vizitojë Manastirin e Deçanit, në Kosovë, për festën e Krishtlindjeve që festohet në datat 6-7 janar, bëjnë të ditur burimet serbe.
Sipas tyre, presidenti Tadiç me ftesë të Peshkopit të Rashkës-Prizrenit, Teodosije do të marrë pjesë në liturgjinë e krishtlindjeve më 7 janar.
Autoritetet kosovare konfirmojnë se ka një kërkesë për vizitë. “Ka një kërkesë të tillë, dhe unë besoj që kërkesa është mbi bazën e vizitës religjioze në Manastirin e Deçanit dhe besoj që këtu do të kemi qasje pozitive për një trajtim të tillë”, tha sot zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, duke iu përgjigjur interesimit të medias pas mbledhjes së qeverisë.
Ai bëri të ditur se, kërkesa për lejimin e vizitës ka mbërritur në qeverinë e Kosovës, pasi ka kaluar procedurat përmes Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Beograd dhe Zyrës së BE-së në Prishtinë.
Thursday, 05 January 2012 17:30 