Romë – Mbi dhjetë tërmete më të dobëta janë regjistruar në pjesën verilindore të Italisë, e cila dje ishte goditur nga një tërmet i fuqishëm gjatë së cilës jetën e humbën të paktën 16 persona, ndërsa rreth 350 janë plagosur.
Sipas informatave më të reja të shërbimeve sizmologjike tërmeti i djeshëm ka qenë me një intensitet prej 6,0 ballëve sipas shkallës së Rihterit. Në informatat e djeshme thuhet se tërmeti ka qenë me fuqi prej 5,8 ballëve.
Epiqendra e tërmetit, që ndodhi rreth orës nëntë, ka qenë në afërsi të vendit Mirandola në 40 kilometra në veriperëndim të Bolonjës dhe në 60 kilometra në lindje të Parmës, me thellësi prej 9,6 kilometrave nën sipërfaqen e tokës. Pas këtij, gjatë ditës së djeshme janë regjistruar edhe tre tërmete me fuqi prej 5,0 dhe 5,4 ballëve.
Ekipet e shpëtimit edhe sot vazhduan të punojnë në pastrimin e rrënojave. Sipas mediave italiane gjatë tërmetit janë shkatërruar qindra objekte dhe është shkaktuar dëm i madh material.
Më shumë dëme ka në rajonin e Modenas, ku ishte edhe epiqendra e tërmetit të fuqishëm prej para dhjetë ditëve, përderisa në Mantova u rrënua këmbana e bazilikës Santa Barbara. “Pasojat e tërmetit do të jenë afatgjata dhe nuk mundemi të konkludojmë se do të vijë deri te tërmetet më të fuqishme”, deklaroi drejtori i Instututit kombëtar italian për gjeofizikë dhe vullkanologji, Stefano Gresta.
Sipas mediave italiane, gjatë tërmetit rreth 14.000 persona mbetën pa shtëpitë e tyre. Në dhjetë ditët e kaluara në këtë pjesë të Italisë janë regjistruar të paktën 800 tërmete më të dobëta.
Tërmeti i djeshëm ishte më i fuqishmi në Itali pas atij me intensitet prej 6,3 ballëve sipas shkallës së Rihterit në qytetin Akuila në pjesën qendrore të vendit në vitin 2009, gjatë së cilës jetën e humbën rreth 300 persona, ndërsa dhjetë mijë mbetën pa kulm mbi kokë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 30 May 2012 14:28