Lajme Shqip Wednesday, 23 May 2012 16:15

Tiranë -Këshilli i Ministrave vendosi sot “pezullimin e pjesshëm dhe të përkohshëm të liçencës së shkollës së lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”,  për të gjitha programet në të dyja ciklet e studimit, që ofron ky institucion i arsimit të lartë”.

Sipas vendimit të publikuar në faqen e Këshillit të Ministrave thuhet se “Shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, gjatë periudhës së pezullimit, nuk do të pranojë studentë të rinj në asnjë nga programet e studimit që ky universitet ofron”. Në vendim saktësohet se “periudha e pezullimit të licencës së këtij institucioni të arsimit të lartë zgjat për 1 (një) vit, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi”.

“Shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, ndërmerr masat e duhura që studentët e regjistruar pranë këtij institucioni të vijojnë apo të përfundojnë studimet në programet përkatëse, sipas kohëzgjatjes normale. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, gjatë periudhës së pezullimit, merr masat për ushtrimin e inspektimit periodik, çdo 3 (tre) muaj, në këtë institucion, për përmirësimet e bëra në përmbushjen e standardeve shtetërore të cilësisë”, thuhet më tej në vendimin e qeverisë.

Githashtu në vendim sqarohet se “në përfundim të periudhës së pezullimit të licencës, shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, i nënshtrohet akreditimit institucional sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi. Në përfundim dhe në varësi të rezultatit të procesit të akreditimit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës propozon masat përkatëse për këtë institucion të arsimit të lartë”. (LajmeShqip.com)