Tiranë – Pedagogët dhe i gjithë stafi i Universitetit “Kristal” do të hetohen për rastin e diplomës false të Renco Bossit, i biri i ish-kreut të Lega Nord në Itali.
I thirrur në komisionin parlamentar të medias dhe arsimit, pikërisht për kriteret e licencimit dhe dhënies së diplomave nga arsimi i lartë privat, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, pranon se arsimi i lartë ka ende sfida. Ai deklaroi se sistemi ynë arsimor, pavarësisht këtij rasti, nuk është i imunizuar nga shkeljet. Tafaj shtoi se është detyrim që “çdo shkollë private të ruajë regjistrat dhe amzat”.
“Kristali s’ka pasur asnjëherë vlerësim maksimal. Është vlerësuar për investime në hapësira e staf pedagogjik”, tha Tafaj. Ministri i Arsimit theksoi se nga mbi 40 institucione të arsimit të lartë në Shqipëri, vetëm 3 privatë e kanë statusin e universitetit, pasi ofrojnë dhe diplomë të nivelit të tretë, pra për master e doktoraturë.
Nga kontrollet e bërë tek Universiteti “Kristal”, para skandalit të diplomës të Renco Bosit, sipas ministrit, cilësia rezulton të ketë qenë mesatare. Ky universitet , të cilit tashmë i është pezulluar licenca, është vlerësuar kryesisht për stafin pedagogjik dhe auditoret që ka krijuar për studentët e vet. Ndërsa për opozitën situata me arsimin e lartë privat është dëshpëruese, sipas të djathtëve, kjo është një trashëgimi e socialistëve.
Tafaj nënvizoi se rruga për ta kthyer potencialin sasior të universiteteve në potencial cilësor është e gjatë. (LajmeShqip.com)
Monday, 28 May 2012 16:02