Lajme Shqip Tuesday, 22 May 2012 09:56

Redaksia LajmeShqip.com (PLOTESUAR 14:10)- Stafi i LajmeShqip.com bashkohet me dhimbjen e familjarëve të viktimave në tragjedinë e Himarës. Lusim Zotin që tua lehtësojë sado pak dhimbjen, nën flakën e qirinjve përcjellim lutjet tona për shpirtrat e të ndjerëve….. U prehshin në paqe !

Presidenti Topi: “jam shumë i pikëlluar për ngjarjen tragjike”.

Elbasan- Presidenti Bamir Topi zhvilloi mesditën e sotme homazhe në ambientet e Universitetit ” Aleksandër Xhuvani”, ku edhe janë vendosur 11 fotot e studenteve, viktima të aksidentit tragjik ndodhur një ditë më parë në një fshat në Himarë. Pasi ka lënë edhe përshtypjet e tij në formë ngushëllimi në librin e përshtypjeve, presidenti Bamir Topi tha se, ” jam shumë i pikëlluar për ngjarjen tragjike dhe për fatin tragjik të vajzave që humbën jetën”.
Gjatë homazheve, Presidenti Topi shoqërohej nga kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, rektori i universitetit Liman Varoshi dhe stafi pedagogjik.

Imzot Rrok Mirdita i bashkohet dhimbjes së familjarëve dhe lutet bashkë me ta.
Tiranë – Imzot Rrok Mirdita Arqipeshkv i Metropolit Tiranë – Durrës mesazh ngushëllimi për familjet dhe të afërmit e viktimave të tragjedisë së Himarës. 

“Të dashur prindër dhe të afërm të viktimave të aksidentit të Himarës. Nëpërmjet mediave u njoftuam për tragjedinë e rëndë Himarës ku humbën jetën 13 studente dhe u plagosën 20 të tjerë. Kemi provuar një tronditje të thellë në shpirt dhe lutjet tona u bashkohen atyre të prindërve dhe të afërmve të viktimave. I lutemi Zotit për një shërim sa më të shpejtë të plagosurve. Më lejoni të shpreh afërsinë shpirtërore timen dhe të Dioqezës, ju, të plagosurve, punonjësve të shëndetësisë dhe forcave të rendit që të gjithë së bashku ta kalojmë këtë provë të jashtëzakonshme duke ju lutur Zotit që të na forcojë. Le t’ia besojmë Zotit kujdesin për shpirtrat e viktimave dhe të mbështesim me lutjet tona një shërim sa më të shpejtë të plagosurve”, thuhet në mesazh.

Universiteti “Luigj Gurakuqi”: “zija ka përfshirë universitetet dhe mbarë vendin”
Shkodër – Studentë, pedagogë dhe drejtues të Universitetit “Luigj Gurakuqit”, përcollën paraditen e sotme mbështetjen e tyre solidarizuese për familjet e prekura nga tragjedia e Himarës. Krahas mbajtjes një minutë heshtje në auditoret e këtij universiteti, në hyrje të Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, në ballë të cilit qëndronin flamujt në gjysëm shtizë, u ndezen qirinjë dhe u vendosen lule të freskëta. “Me dhimbje të thellë morëm lajmin mbi vdekjen tragjike, si dhe plagosjen e studenteve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, në aksidentin tragjik që ndodhi në Himarë. Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” i bashkohet dhembjes së madhe, pikëllimit të papërshkrueshëm me fjalë, që pushton sot zemrat e familjarëve, por edhe të mbarë shqiptarëve.”, theksoi në një prononcim për mediat rektori i këtij universiteti, Prof. Dr. Artan Haxhi.

Haxhi shtoi më pas se “në këtë ditë zie që ka përfshirë universitetet dhe mbarë vendin, studentët dhe pedagogët tanë, në këtë ditë dhimbjeje, zie mbarë kombëtare, bashkohemi me të gjithë qytetarët e Elbasanit, me qytetarët e rretheve të tjera të cilët humbën njerëzit e tyre të dashur, bashkohemi me familjet e tyre, me kolegët tanë të Elbasanit, duke i shprehur dhimbjen tonë”. “Shqipëria humbi intelektualët e ardhshëm dhe familjet humbën njerëzit e tyre të dashur. Ndaj edhe një herë në emër të të gjithë stafit pedagogjik, në emër të të gjithë studentëve të Universitetit të Shkodrës dhe në emër të të gjithë të qytetarëve shkodranë, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta, më të thella për familjet dhe të afërmit e viktimave të tragjedisë së Himarës”, përfundoi rektori Haxhi. (LajmeShqip.com)

***********************************

Tiranë (PLOTESUAR 13:30)- Jakab: “OBSH është me popullin shqiptar”. Drejtoresha rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Zsuzsanna Jakab, ka shprehur keqardhjen për aksidentin në Himarë, si dhe ngushëllimet për 13 viktimat, studente të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.
Jakab shprehet përmes një letre dërguar ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, duke shprehur ngushëllimet në emër të saj dhe stafit të OBSH “për popullin shqiptar dhe familjet e viktimave”. “Unë dëshiroj t’ju siguroj se mendimet e Zyrës rajonale të OBSH për Evropën janë me popullin shqiptar”, shprehet Jakab.   
    
Kukës: Homazhe, Lot dhe dhjetra qirinj për viktimat e aksidentit.
Kukës – Rreth 700 studentë të filialit të Universitetit të Tiranës në qytetin e Kukësit  organizuan sot homazhe në nderim të 13 viktimave të aksidentit të rëndë automobilistik të ndodhur mbasditen e djeshme në afërsi të Himarës. Në ceremoni merrnin pjesë edhe trupa pedagogjike si dhe të afërm të studentëve. Lot dhe dhjetra qirinj u ndezën nga studentët në nderim të bashkëmoshatarëve të tyre, që humbën jetën tragjikisht në aksidentin e rëndë të ndodhur një ditë më parë. Ndërsa flamujt pranë gjithë institucioneve shtetërore janë ulur në gjysmë shtizë. Dhimbja për jetët e humbura është e pranishme kudo.

HaxhiNasto ngushëllon familjarët e viktimave.

Tiranë – Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, me hidhërim të thellë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të studentëve që humbën jetën në aksidentin tragjik të ndodhur ditën e djeshme në Himarë. “Në këto momente të vështira, ai merr pjesë në dhimbjen e tyre dhe solidarizohet me familjet dhe të afërmit e tyre. Njëkohësisht, ai u uron shërim sa më të shpejtë personave të lënduar”, thuhet në njoftimin zyrtar të ministrisë së Jashtme.

Pedagogët dhe studentët e Gjirokastrës qirinj dhe lule.
Gjirokastër – Pedagogët dhe studentët e Universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës kryen sot një homazh në përkujtim të studentëve, që humbën jetën një ditë më parë në Qafën e Vishës, rreth 2 km larg Himarës. Në heshtje të plotë, stafi akademik dhe studentët e këtij universiteti ndezën qiri dhe vendosën lule në qendër të qytetit.

Prof. Asoc. Gëzim Sala, rektori i universitetit të Gjirokastrës, tha për LajmeShqip.com, se ngjarja e ditës së djeshme na ka shokuar të gjithëve për përmasat e aksidentit. “Kjo ngjarje duhet të na shërbejë si një apel për strukturat përkatëse, për të rritur në maksimum masat për sigurimin e jetës në lëvizjen me transportin publik”, tha Sala, duke përcjellë ngushëllimet e sinqerta në emër të stafit akademik dhe studentëve të Gjirokastrës, familjarë të viktimave, pedagogëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, si dhe uron shërim të shpejtë të të lëndurave të këtij aksidentit tragjik.

Roland Zisi, dekani i Fakultetit të Edukimit dhe Shkencave Shoqërore, njëherazi pedagog në departamentin e letërsisë, u shpreh se “është koha për solidaritet kombëtar për të përballuar këto fatkeqësi të paparashikueshme”. Prof. Dr. Lavdi Hasani, dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, i pikëlluar nga tragjedia e Himarës, u shpreh se, “në këto momente të vështira ne jemi pranë familjeve të viktimave, pranë të lënduarave, pranë kolegëve dhe studentëve të Universitetit të Elbasanit”.

Prof. Asoc. Thoma Dhima, pedagog i departamentit të gjuhës shqipe, tha se, “kjo ngjarje na ka befasuar për mënyrë tragjike dhe në këto momente të vështira jemi pranë familjeve të viktimave”. (LajmeShqip.com)

********************************************

Elbasan (PLOTESUAR 12:00)- Qindra studente ne Elbasan po zhvillojne sot homazhe ne kujtim te  studenteve qe humben jeten nje dite me pare si pasoje e nje aksidenti tragjik ndodhur ne Himare. Nderkaq, ceremonia zyrtare pritet te nise ne oren 15.30 e me pas trupat e pajete do te percillen per ne banesen e fundit. Rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Liman Varoshi, edhe nje here ka ngushelluar familjaret e te afermit e studenteve qe humben jeten ne kete aksident tragjik.

Gjithashtu, ne kujtim te studenteve, At Nikolla Marku, prifti i Kishes Ortodokse, ka mbajtur nje meshe duke thene se ” Dhimbja eshte e madhe dhe e pa ngushellueshme, por kisha e Elbasanit do te beje nje pershpirtje per engjejt e vegjel te kombit tone. Zoti qetsofte familjet, prinderit, motrat, vellezerit e tyre ne kete dite te zeze”.

Prishtinë –Lëvizja Vetëvendosje bën me dije se ndërpret të gjithë aktivitetin publik në respekt të zisë kombëtare që po mban sot Shqipëria pas aksidentit tragjik në Himarë. “Duke u bashkuar në dhimbjen e të gjithë shqiptarëve për humbjen e jetës së 11 studenteve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, plot 13 viktima, Vetëvendosje ngushëllon të afërmit dhe familjarët e viktimave, studentët dhe stafin akademik të Universitetit të Elbasanit, si dhe të gjithë shqiptarët, ndërkohë që uron shërim sa më të shpejtë për të gjithë të lënduarit”, thuhet në njoftimin e lëvizjes.

Ndërkohë ngushëllime të thella për familjet e 13 viktimave shprehu sot edhe Këshilli Kombëtar Studentor. “Kjo është një ditë e errët dhe e dhimbshme për të gjithë komunitetin studentor dhe mbarë kombin shqiptar”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit.

Më tej lexoni mesazhin e plotë:
“E dashur shoqe! Mikeshë! Motër!
Shpirti Yt u prehtë në paqe! Studentët e gjithë Shqipërisë, janë sot me JU me dhimbje të thellë për ëndrrën Tuaj të këputur në mes !
E dashur nënë, familjar dhe i afërm!
Sot studentët e kudondodhur në Shqipëri ndajnë më ju pikëllimin e madh për ndarjen nga jeta të të dashurve tuaj! Këshilli Kombëtar Studentor ju shpreh ngushëllimet më të thella, duke dashur të lehtësojë sadopak dhimbjen tuaj!
KKS ju uron shërim të shpejtë të gjithë të mbijetuarve të kësaj tragjedie të madhe! (LajmeShqip.com)

***********************************

Prishtinë (PLOTESUAR 11:00)– Një ditë e dhembjes gjithëkombëtare është sot në Kosovë pas tragjedisë së djeshme të humbjes së jetës së studentëve në aksidentin e rëndë rrugor të ndodhur në Himarë. Drejtuesit e institucioneve shtetërore e të partive politike të Kosovës kanë ngushëlluar familjet, që humbën më të dashurit e tyre, si dhe krerët e institucioneve të Shqipërisë. Atmosfera e Ditës së Zisë Kombëtare në Shqipëri sot ndihet edhe në Kosovë, përfshirë programet e radiotelevizoneve, si dhe gazetat e ditës, të cilat pasqyrojnë gjerësisht tragjedinë e Himarës.

Sonte, duke filluar nga ora 20:30 tek shkallët e Biblotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, në Prishtinë, do të ndizen qirinj në nderim të viktimave të tragjedisë së studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Duke dhënë këtë njoftim, Vizioni Studentor i Universitetit të Prishtinës u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave të tragjedisë në Himarë.

Ambasadari Sequi ngushëllon familjarët e viktimave.     
Tiranë – Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi shprehu ngushëllimet për familjet e të gjithë atyre që humbën jetën ose u plagosën në aksidentin tragjik të së hënës në Himarë.
“Mendja e të gjithë kolegëve tanë të cilët punojnë me Shqipërinë, si në Delegacionin në Tiranë, ashtu edhe atyre në zyrat qëndrore në Bruksel, janë me ju në këtë moment kaq të trishtuar. Zoti u dhëntë paqe shpirtit të tyre, dhe familjeve të tyre forcën për të përballuar këtë humbje të pazëvendësueshme. U urojmë nga zemra të plagosurve një shërim të shpejtë dhe të plotë”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Ambasadorit Sequi.

Ambasada turke: `prane popullit shqiptar ne kete dite te veshtire`
Tiranë -Ambasada e Republikës së Turqisë në Tiranë u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave të aksidentit tragjik në Himarë. Nëpërmjet një deklarate për mediat, Ambasada turke shprehet se “mesuam me hidherim te thelle per aksidentin tragjik te autobuzit te ndodhur sot, gjate te cilit humben jeten 12 studente”. “Ambasada Turke gjendet prane popullit shqiptar ne kete dite te veshtire duke e ndare bashke me te dhimbjen e thelle.Me kete rast lutemi qe viktimat te prehen ne paqe dhe i percjellim ngushellimet tona familjeve, te afermve dhe mbare popullit shqiptar. Urojme gjithashtu qe studentet e plagosura te sherohen ne nje kohe sa me shpejte.E ndajme me gjithe zemer kete dhimbje te popullit  shqiptar”                                                               

Ambasadori Arvizu: “Lutjet tona janë për ju”

Tiranë -Ambasadori Aleksandër Arvizu dhe i gjithë personeli i Ambasadës së SHBA në Tiranë dëshirojnë të shprehin hidhërimin e tyre të thellë dhe ngushëllime të sinqerta për ata që humbën njerëzit e tyre të dashur në aksidentin tragjik që ndodhi dje afër Himarës. Nëpërmjet një deklarata për mediat, zyra e shtypit e SHBA-së shprehet se “për të gjithë ata që i mbijetuan aksidentit, mendimet dhe lutjet tona janë për shërimin tuaj të shpejtë”. (LajmeShqip.com)

*********************************

Tiranë – Sot është ditë zie kombëtare në nderim të kujtimit të 13 viktimave të aksidentit tragjik të ndodhur pasditen e së hënës në aksin rrugor në afërsi të Himarës.

Vetëm pak orë pas këtij aksidenti Këshilli i Ministrave vendosi “shpalljen ditë zie kombëtare të ditës së martë, në nderim të viktimave , që, në lulen e rinisë së tyre, humbën jetën, për shkak të aksidentit  tragjik”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë. Në bazë të këtij vendimi, në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, është ulur flamuri kombëtar në gjysmështizë, ndërsa në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje. Radio-Televizioni Publik Shqiptar gjatë ditës do transmetojë muzikë funebre, ndërsa ngarkohet Ministria e Brendshme të përballojë shpenzimet e varrimit të viktimave.

Elbasan- Tragjedia e aksidentit në Himarë pasditen e djeshme, ku kanë humbur jetën 13 të reja të moshës 20-22 vjec, ka tronditur të gjithë qytetin e Elbasanit. Ata pak pedagogë të mbetur në Elbasan, pasi pjesa më e madhe e tyre kanë shkuar drejt Himarës, janë drejtuar drejt kampusit qëndror dhe i janë bashkuar homazheve bashkë me studentët për këtë tragjedi. Shoferi 55 vjecar, Pellumb Cela, babai i dy fëmijëve, kishte më shumë se 10 vjet që drejtonte autobuzin fatkeq dhe madje ashtu sic shprehen vetë studentët, ai ishte bërë mik me ta. “Ishte njeri i mirë, babaxhan, kishim kënaqësi kur udhëtonim me të, pasi e drejtonte qetë mjetin e tij dhe gjithnjë ishte i gatshëm kur ne kërkonim të ndalonin, teksa udhëtonim në ekspedita me të”, thotë Albani, një student i degës së Histori – Gjeografi.     Madje, studentët thonë se ai nuk ishte konsumues i pijeve alkoolike, dhe për më tepër ishte shumë i kujdesshëm në timon.

Kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini, ka bere te ditur se ditën e martë do të organizojë homazhe ngushëllimi për të rinjtë që humbën jetën aksidentalisht, ku do te marrin pjese edhe prefekti si edhe kryetari i Këshillit të Qarkut.

Tiranë – Në nderim të viktimave të aksidentit tragjik, në respekt të ditës së zisë të shpallur nga Qeveria shqiptare dhe në zbatim të ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Radio Televizioni Shqiptar bën të ditur se nuk do të transmetojë direkt natën e parë të Festivalit Evropian që zhvillohet sot në orën 21.00 në Baku të Azerbaixhanit. RTSH njofton teleshikuesit shqiptarë se Nata e Parë e Festivalit Evropian ku konkuron përfaqësuesja e Shqipërise Rona Nishliu, do të transmetohet e regjistruar në orën 00.05 të datës 23 Maj.

Duke patur mirëkuptimin e  të gjithë shqiptarëve për këtë eveniment mbarë evropian në të cilin perfaqësohet Shqipëria, Radio Televizioni Shqiptar njofton gjithë teleshikuesit jashtë territorit të Republikës së Shqipërise, të ndjekin në kohën reale Festivalin Evropian të Kengës në stacionet publike të vendeve përkatëse ku jetojnë dhe të votojnë për këngën shqiptare, sipas kodit të vendit përkatës ku Shqipëria është me nr. 05. (LajmeShqip.com)