Tiranë -Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami u shpreh se situata e emergjencës për shkak të motit të keq dhe reshjeve të dendura në disa zona të vendit tonë është nën kontroll.
Ministri i Mbrojtjes Imami paraqiti drejtimet ku janë fokusuar Forcat e Armatosura dhe bëri me dije se ato u stërviten përgjatë 2011-ës në trajnime të veçanta për përballimin e fatkeqësive natyrore
“Kemi 360 trupa në angazhim të plotë. 19 mjete transporti, mes të cilave 5 borë pastruese, disa traktorë, disa hapëse pistash etj. Kemi rreth 800 veta personel në gadishmëri dhe nëse nevojiten nga shtabi i emergjencës jemi gati t’i fusim në gadishmëri”, tha Imami.
Sipas ministrit, vetëm sot janë bërë të paktën 7 fluturime për probleme shëndetësore. “Kemi punuar intensivisht për përirësimin e gjendjes së banorëve të izoluar. Ka pasur 3 operacione shpëtimi sot nga Ministria e Mbrojtjes dhe 4 nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Imami.
Sipas ministrit, “roli i ushtrisë në këto operacion është mbështetës, jo parësor. Problemin e shëndetësisë e ka MSH, hapjen e rrugëve e ka MPPT, ndërsa MB ka rolin e saj”.
Duke folur mbi situatën e motit në ditët në vijim, Imami tha se, “do të vazhdojnë vranësirat, do të vazhdojë mjegulla, por nuk parashikohen reshje dëbore të mëdha dhe nga java tjetër parashikohet se temperaturat do ngrihen”.
Në lidhje me shkrirjen e dëborës Imami tha se, është bërë një puën mjaft e mirë në planifikimin dhe sot vendi i ka kapacitetet, planin e detajuar dhe eksperiencën dhe do të përballohet kjo situatë.
Sipas Imami-t, buxheti i emergjencës është shpërndarë. “Kemi shpërndarë ndihmat në të gjitha ato zona ku është kërkuar nga pushteti lokal”, tha Ministri Imami. (LajmeShqip.com)
Thursday, 16 February 2012 21:30