Tiranë- Me pushimin e reshjeve të dëborës si dhe punën e pandërprerë të strukturave të Emergjencës Civile është përmirësuar ndjeshëm situata në vend.
Sipas informacionit të shpërndarë nga Zyra e Emergjencës Civile, numri i komunave që janë të bllokuara nga dëbora ka ardhur në rënie. Momentalisht, probleme ka në vetëm 14 komuna, kryesisht në veri të vendit, ku po punohet për lidhjen e tyre me akset rrugore kombëtare.
Kështu, në Qarkun e Shkodrës vazhdon puna për hapjen e akseve rrugore që lidhin me akset kombëtare qendrat e komunave Shalë, Shosh, Shllak, Pult, Iballë dhe Fierzë. Në Qarkun e Kukësit është punuar dhe vazhdon puna për lidhjen me akset kombëtare të qendrave të komunave Shishtavec, Grykë Çajë, Kalis, Lekbibaj dhe Arrën. Lura, Selishta dhe Zall Reçi, janë tre komunat e Qarkut të Dibrës, ku vijon puna për lidhjen e qendrave të tyre me akset kombëtare.
Puna e kryer gjatë gjithë këtyre ditëve mundësoi ndërkohë lidhjen me akset kombëtare të qendrave të komunave Qelëz, Kelmend, Poroçan, Lenie, Kukur, Zavalinë, Blerim dhe Bytyç.
Ndërkohë, nuk janë ndërprerë operacionet humanitare, por edhe të ndihmes për banorët e këtyre zonave. Me anë të helikopterëve iu është dhënë ndihmë banorëve për nevojat shëndetësore, ndersa ka vazhduar shpërndarja e ndihmës ushqimore dhe e medikamenteve.
E ndërkohë tropojanët kanë dalë nga izolimi që shkaktoi dëbora e madhe e këtij dimri. Këtë e ndjejnë jo vetëm banorët e qytetit të Bajram Currit, por edhe ata të fshatrave të këtij rrethi, të cilët kanë nisur të lëvizin në drejtim të tregut të qytetit dhe të furnizohen me mallrat ë konsumit të përditshëm.
“Situata është drejt përmirësimit pas ngrohjes së motit, por edhe e punës së bërë deri tani për rihapjen e akseve rrugore”,- thotë kryetari I bashkisë së Bajram Currit, Agron Demnushi që shton se ende është e izoluar komuna e Lekbibajt.
Ndërsa është përshpejtuar puna për rihapjen e akseve rrugore rurale, që lidhin fshatrat me qendrat e komunave, një proces më vështirë, vazhdon puna për rihapjen e plotë të aksit rrugor Bajram Curri-Krumë ku kanë mbetur edhe pak kilometra rrugë e pahapur në afërsi të qafë Luzhës.
Dalja nga izolimi i banorëve të këtij rrethi është ndjerë edhe në rritjen e fluksit të lëvizjes në drejtim të Tiranës, edhe pse lëvizja në këtë aks rrugor nuk është ndërprerë asnjë ditë. Kjo për faktin se edhe tropojanët drejt Tiranës lëvizin përmes aksit rrugor Bajram Curri-doganë e qafë Morinës-Gjakovë-Prizren-Morinë-Tiranë.
Burime zyrtare të doganës së qafë Morinës bëjnë të ditur se “gjatë 24 orëve të fundit kanë lëvizur në të dy anët e kufirit 85 persona gjithsej, nga 35 – 40 persona që lëviznin që lëviznin gjatë 24 orëve gjatë ditëve të tjera të këtij muaji”.
Gjithsesi fluksi i lëvizjes është ende i ulët. Kjo edhe për faktin se reshjet e mëdha të dëborës kanë ndalur lëvizjen drejt pikës turistike të Valbonës.Ndërsa akset rrugore rurale vazhdojnë të hapen me shpejtësi, aktualisht po punohet për rihapjen e akseve rrugore rurale Kam – qafë Prushi, rruga nacionale – Selimaj dhe Dushaj Lekbibaj. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 21 February 2012 15:10