Lajme Shqip Tuesday, 11 October 2011 10:54

Mitrovicë – Shefi i delegacionit të Beogradit për bisedime me Prishtinën, Borisllav Stefanoviq, dhe ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, do të qëndrojnë sot pasdite në veri të Kosovës, kanë bërë të ditur burime të Portalit LajmeShqip.com.

Të dy këta zyrtarë të lartë të Serbisë do të ndalen në Leposaviq dhe nuk do të guxojnë që të vijnë në Zveçan apo në veri të Mitrovicës, për të biseduar me përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, kanë bërë të ditur burimet. Stefanoviq dhe Bogdanoviq janë kërcënuar me jetë nga grupet serbe të krimit të organizuar, me në krye kapon e krimit, Zvonko Veselinoviq, por dhe nga krerët e komunave të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës, të cilët janë duke e përkrahuar direkt Veselinoviqin, në luftën e tij kundër Stefanoviqit, për të krijuar kushte sa më të përshtatshme për krim dhe kontrabandë.

Burimet e portalit me tej kanë shtuar se zyrtarët serbë tani po kërcënohen me jetë dhe nuk guxojnë që të lëvizin lirshëm, pikërisht nga personat të cilët po i përkrahë dhe po i financon Qeveria e Stefanoviqit dhe Bogdanoviqit.

Në takimin e orëve të pasdites, në Leposaviq, me krerët e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, do të bisedojnë për zgjidhjen e problemit të pikave kufitare, Bërrnjakë dhe Jarinjë.

Stefanoviq, ditë më parë ka deklaruar, pas bisedave me ndërmjetësin e BE-së, se janë shumë afër zgjidhjes së problemit të pikave kufitare në veri.

“Është me rëndësi të madhe që sa më shpejtë të takohemi me udhëheqësit e komunave në veri, në mënyrë që bashkërisht të diskutojmë për zgjidhjet që janë biseduar me Cooperin, me të cilin kemi biseduar edhe për detajet më të vogla, që nga rregullimi i qarkullimit të mallrave, atij rrugor e deri te ajo se kujt do t’i takojnë të ardhurat që mblidhen në këto pika administrative”, ka thënë Borisllav Stefanoviq. (LajmeShqip.com)