Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 10:27

Shkup, Prishtinë – Funksionarët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Izet Mexhiti, Ermira Mehmeti dhe Hazbi Lika, janë ulur të paftuar në tavolinën e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, derisa ajo ka qenë duke drekuar privatisht në një restorant në Tetovë, fundjavën e kaluar.

Kjo është bërë e ditur nga këshilltari i presidentes kosovare, Ilir Deda, në një emision debati në televizionin “KohaVision”.

Ai ka thënë se Jahjaga nuk ishte në Tetovë për të takuar përfaqësuesit e BDI-së, por se të njëjtit janë ulur në tavolinën e saj pa asnjë ftesë. E gjetur në një situatë të pavolitshme, presidentja Jahjaga nuk ka mundur t’i largojë nga tavolina dhe ka vazhduar të bisedojë me Mexhitin, Mehmetin dhe Likën, duke mos kujtuar se një gjë e tillë do të dalë në media.

Këshilltari Deda ka vlerësuar se liferimi i kësaj informate në media është një mënyrë ballkanike e politikbërjes, duke thënë se presidentja Jahjaga, ”nuk ka mundur t’u thotë që të ngriten nga tavolina”.

“Kjo është mënyra ballkanike e politikbërjes, ajo ka qenë vizitë private. Presidentja edhe në komunikatë ka qenë shumë e qartë që: është ndalur për të drekuar dhe kanë ardhur përfaqësues të një partie politike, të pa ftuar, kanë ardhur për ta  përshëndetur dhe janë ulur në tavolinë, dhe çka të bëjë presidentja, të ju thotë çohuni, shkoni…? Nuk ka pas takim, pasi presidentja natyrisht që takimet kurrë nuk mund t’i mbajë në rang të nënkryetarëve të një partie, është shkelje drastike e protokolleve, ajo që dikush atje në Maqedoni e ka keqpërdor le t’u mbetet atyre të cilët e kanë keqpërdorur”, ka thënë Ilir Deda, këshilltar i presidentes së Kosovës.

Deda, bile ka refuzuar të marrë përgjegjësinë për mungesën e parashikimeve se kjo vizitë private mund të keqpërdoret nga subjekte të caktuara politike. Në Tetovë i cili është vend i vogël, është marrë vesh për vizitën dhe njerëzit kanë ardhur”, ka shtuar Dedaj. Ai ka shfaqur habinë se si mund që një subjekt politik të bëjë një keqpërdorim të tillë me një institucion të Kosovës, duke theksuar se “kjo më shumë flet për ata që e kanë keqpërdorur këtë vizitë private”.

Ai ka thënë se Jahjaga nuk dëshiron të përzihet në zgjedhjet e Maqedonisë dhe nuk dëshiron të armiqësohet me asnjë subjekt apo individ në Maqedoni.

“Ajo që ndodh në Maqedoni është në funksion të fushatës zgjedhore. Edhe ata duan me fut edhe Kosovën në fushatë. Nëse ne themi që nuk duam konflikt, atëherë ngelet ashtu”, ka thënë Ilir Deda, këshilltar i Presidentes.