Lajme Shqip Monday, 17 October 2011 18:58

Prishtinë – Shkaktari kryesor – korrupsioni dhe akuzat ndaj menaxhementit të kompanisë. Mbyllet pa sukses privatizimi i Postë-Telekomit të Kosovës. Kështu ka vendosur Komiteti qeveritar për privatizim, pas tërheqjes së Telekomit Kroat.

Tërheqja e konsorciumit gjermano-kroat bën që procesi i privatizimit të PTK-së të dështojë. Portali LajmeShqip.com kishte raportuar ditë më parë për dështimin në horizont të privatizmit të PTK-së, pas tërheqjes nga gara të Telekomit Kroat. Ky i fundit ishte tërhequr për shkak të akuzave dhe dyshimeve të fuqishme për korrupsion në menaxhmentin e lartë të PTK-së, për cilat portali poashtu kishte raportuar, duke publikuar ekskluzivisht 12 faqet e aktakuzës ndaj kryeshefit ezkekutiv të PTK-së, Shyqeri Haxha dhe kryesuesit të Bordit të saj, Rexhë Gjonbalaj.

Ministri i zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj, që kryeson Komitetin për privatizimin e PTK-së, njoftoi se ky komitet e ka analizuar gjendjen dhe ka vendosur që procesi të mos vazhdojë vetëm me një ofertues.

“Komiteti qeveritar ka marrë vendim për ta shpallur të mbyllur këtë proces dhe për t’i filluar përgatitjet për një proces të ri, i cili do të shkojë konform orientimeve strategjike që ka qeveria. Vendimi është marrë konform kompetencave kushtetuese, për t’i ruajtur asetet dhe për të mos shkuar në privatizim me çdo kusht”, ka thënë ministri kosovar i Zhvillimit Ekonomik.

Parlamenti i Kosovës në këtë rast është anashkaluar tërësisht, dhe këtë e konfirmoi edhe vetë ministri Beqaj.

“Do duhej të kërkohej normalisht edhe vendimi i parlamentit për një gjë të tillë, por kemi vendosur që ta shpallim të mbyllur dhe t’i fillojmë përgatitjet për një proces të ri, konform interesave të vendit, për ruajtjen e aseteve dhe  interesin e të gjithë punonjësve”, tha ai.

Beqaj tha se qeveria i kishte bërë të gjitha përgatitjet për këtë proces, mirëpo ai është varur edhe nga pala tjetër, që janë investitorët.

Ai bëri të ditur se tani do të nisin përgatitjet për transaksionin e ri, por nuk saktësoi se sa ka humbur buxheti i Kosovës nga procesi i deritashëm. (LajmeShqip.com)