Lajme Shqip Sunday, 18 September 2011 18:40

Peqin – Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë pasdite në periferi të qytetit të Peqinit, duke rrezikuar edhe banesat pranë.

Kryetari i Bashkisë së Peqinit, Ilir Rrushi, bëri të ditur se “zjarri, i cili ka rënë në periferi të qytetit, ka përfshirë një masiv të madh me ullishta dhe shkurre, ndërsa në rast se flakët nuk lokalizohen shpejt ato rrezikojnë të përfshijnë edhe disa banesa shumë pranë vatrës”.

Mësohet se në vendin e ngjarjes kanë shkuar dy mjete zjarrëfikëse të qytetit të Peqinit, por duke parë se flakët janë përhapur me shpejtësi të madhe, të favorizuara edhe nga era, Prefekti i Qarkut të Elbasanit ka kërkuar edhe ndihmën e zjarrëfikësve të Elbasanit dhe Gramshit.

Sipas prefektit Shefqet Deliallisi, “flakët e zjarrit, të përhapura me shpejtësi, rrezikojnë edhe banesat shumë pranë, dhe në rast se flakët nuk lokalizohen do të bëhet evakuimi i banorëve, me qëllim evitimin e ndonjë ngjarjeje të rëndë”.

Shërbimet e zjarrëfikëses po vazhdojnë punën për shuarjen e flakëve, ndërsa në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe Policia, e cila ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e zjarrit, i cili konsiderohet si më i madhi në qytetin e Peqinit gjatë stinës së verës.