Vjedhjen e më shumë veturave sivjet në kryeqytet e konfirmon edhe Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës Agron Borovci.
Agim Kelmendi kur është zgjuar të premten në mëngjes për të kryer punët e tij të përditshme, ka vërejtur me habi se nuk e ka makinën.
“Në orën 8:20 kur kam dalë me çu djalin në kopsht m’ka mungu kerri dhe për një moment kam mbetur i habitur,” thotë ai për KALLXO.com.
Atij i është vjedhur një makinë e tipit “Golf IV” në lagjen prishtinase te “Banesat e Arabëve”.
Kelmendi shpjegon se një fqinje e moshuar që ka parë vjedhjen i ka treguar se kjo ka ndodhur shumë shpejt.
“Thotë që ka qenë e sëmurë pak nga fryma dhe në ora 4:00 të mëngjesit ka dalë në dritare për të marrë frymë. [Hajnat] kanë kalu te ky vendi ktu ku e kom pasë unë makinën edhe 5 minuta thotë ju kanë dashtë kohë për me hap makinën edhe kanë ec,” shpjegon Kelmendi.
Ai e ka lajmëruar rastin në polici, por nuk shpreson shumë, pasi tregon se në lagjen e tij cak i hajnave janë të gjitha gjërat.
“Raste [të vjedhjeve] në këtë lagje ka sa të duash tu fillu prej kpucave,” tregon Kelmendi.
Ai bën me dije se hajnat para se t’ia vidhnin makinën, i kishin hyrë për të vjedhur edhe në banesë.
“Policia përveç që ka ardhë e ka marrë shenja, edhe e ka marrë rastin, numrat e rasteve, mu personalisht edhe tjerëve me sa di asnjonit nuk i ka nimu,” thotë Kelmendi.
Numrin në rritje të vjedhjeve të veturave, e konfirmon edhe zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës Agron Borovci.
“Duke u bazuar në të gjitha raportet në të gjitha vlerësimet analitike që i janë bërë situatës së sigurisë, veçanërisht rasteve të vjedhjeve të veturave, është nxjerrë përfundimi që për periudhën që lamë pas të vitit 2015 ka pasur një ngritje të ndjeshme të treguesve të rritjes të këtyre rasteve të vjedhjeve,” tregon Borovci.
Ai thotë se në krahasim me 10 muajt e vitit të kaluar kur u vodhën 70 makina, në 10 muajt e këtij viti u vodhën 30 më shumë-100.
Arsyet e rritjes së vjedhjeve ai i lidh me shtimin e popullsisë, shtimin e numrit të veturave dhe fluksin e madh të makinave që hyjnë e dalin brenda 24 orëve në kryeqendër.
Por Agim Kelmendi e ka një shpjegim tjetër pse në lagjen ku jeton vidhet thuajse gjithçka. Arsyet e vjedhjeve sipas Kelmendit janë bastoret e shumta sportive në këtë lagje, kazinot në afërsi dhe mungesa e ndriçimit.
Edhe policia thotë se vjedhjet ndodhin gjatë natës, kur mund të mos ketë ndriçim.
“Zakonisht rastet e vjedhjes së veturave në polici raportohen në mëngjes që i bie që ato kryhen gjatë periudhës së natës, mirëpo pronarët e tyre vjedhjen] e vërejnë në mëngjes kur zgjohen për të kryer shërbimet e tyre,” thotë Borovci.
Këtë vit policia ka arrestuar 1 mijë e 700 persona për të gjitha llojet e veprave penale, mes tyre edhe për vjedhje dhe vjedhje të makinave.
KALLXO.com raportoi edhe më herët për vjedhje makinash dhe mënyrën se si ato vidhen.
Sunday, 04 October 2015 12:04