Lajme Shqip Monday, 07 May 2012 10:16

Prishtinë -Të gjitha vendvotimet e OSBE-së në Kosovë  (të hapura dje për zgjedhjet parlamentare e presidenciale të Serbisë) u mbyllën pas përfundimit të rregullt të votimit, tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Werner Almhofer.

Sipas të dhënave të përkohshme të raportuara, pjesëmarrja në votime ishte 32.17 për qind, njoftoi mbrëmë rreth mesnatës  misioni i OSBE në Kosovë. “Kam kënaqësinë të raportoj që sot ishim në gjendje t’u ofrojmë njerëzve mundësinë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në një ambient të qetë”, tha Almhofer. “Përkundër disa çështjeve të vogla teknike, dita e votimit ka kaluar në mënyrë të rregullt”, shtoi ai.

Nuk janë raportuar incidente të sigurisë dhe votimi është zhvilluar në një ambient të qetë. Më tej bëhet e ditur se disa vendvotime në rajonin e Mitrovicës dhe të Gjilanit u mbyllën më vonë për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve. Materialet zgjedhore janë duke u transportuar nga OSBE për në Vranjë dhe Rashkë, ku do të bëhet numërimi nga Komisioni Zgjedhor i Serbisë.

“Duke pasur parasysh kohën jashtëzakonisht të kufizuar për zhvillimin e këtij operacioni – vetëm pak më shumë se pesë ditë – unë jam i kënaqur sepse ne kemi bërë më të mirën e mundur. Dua të falënderoj stafin e Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe stafin nga misionet dhe zyrat e OSBE-së nga Tirana deri në Vjenë për punën e palodhur dhe mbështetjen e tyre të madhe. Ne i shprehim mirënjohje edhe atyre që ofruan siguri, policisë së Kosovës, EULEX-it, dhe KFOR-it”, shtoi Almhofer. (lajmeShqip.com)