Lajme Shqip Wednesday, 07 October 2015 08:38

Diplomatë ndërkombëtarë të akredituar në Kosovë e kanë kundërshtuar idenë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme si alternativë për tejkalimin e situatës politike në vend pas bllokimit të Kuvendit nga ana e subjekteve opozitare. Sipas tyre, shkuarja në zgjedhje të reja do të ishte shumë e dëmshme për Kosovën.

Madje, ndërkombëtarët thonë se zgjedhjet do ta shtynin edhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në anën tjetër, subjektet opozitare duke i komentuar deklaratat e ambasadorëve kanë thënë se zgjedhjet nuk janë qëllimi kryesor i tyre.

Opozitarët thonë se qëllimi i tyre është zhbërja e Marrëveshjes për Themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si dhe e asaj për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, duke folur për situatën politike në vend ka kundërshtuar idenë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.

Sipas tij, subjektet politike në Kosovë duhet të mos mendojnë për zgjedhje para viti 2018. /Zeri