Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 09:38

Tiranë – Përfundimi i këtyre zgjedhjeve do të përcaktojë edhe perspektivën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, deklaroi një ditë më parë Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit për Euroazinë, Tomas Kantrimen.

Në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, zyrtari i lartë amerikan përshëndeti procesin zgjedhor në Shqipëri ndërsa vlerësoi pjesëmarrjen e lartë në zgjedhjet vendore në Shqipëri, duke thënë se kjo tregon interesin shqipëtarëve për të ardhmen e vendit dhe të demokracisë.

“Dua të përshëndes votuesit në Shqipëri jo vetëm për pjesëmarrjen e lartë, por edhe për një proces paqësor votimi. Kjo, është fitore e madhe për popullin shqiptar”, tha Kantrimen.

“Mendoj se këto ishin zgjedhjet më të pastërta dhe të drejta që ka parë Shqipëria në historinë e saj. Nuk dua të minimizoj problemet që u shfaqën dhe që vazhdojnë të jenë, por shoh shumë shenja pozitive në mënyrën si u zhvilluan këto zgjedhje”, deklaroi ai.

Duke vënë në dukje se se secila parti mund të nxjerrë mësime nga kjo përvojë, Kantrimen u shpreh se “dy partitë e mëdha dolën më mirë në disa zona që e prisnin dhe më keq në disa të tjera. Kjo, më bën të arrij në përfundimin se jeta politike në Shqipëri është e balancuar mes dy forcave të fuqishme”.

Sipas tij,  në të njëjtën kohë, kjo krijon detyrime për të dy palët për të bashkëpunuar në mënyrë të civilizuar, qoftë përmes debateve publike, parlamentit, apo për zgjedhjet e ardhshme parlamentare pasi këtë e presin jo vetëm populli shqiptar, por edhe Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja.

Lidhur më çështjen e votave të hedhura në kutitë e gabuara, zv.ndihmësi sekretari i Shtetit vuri në dukje se “nuk po them që vendimi është i paligjshëm, por  baza ligjore nuk është e qartë për ne dhe duket se nuk është në përputhje me praktikat e mëparshme të komisioneve zgjedhore”.

Zyrtari i lartë amerikan theksoi se procesi duhet të vazhdojë punën në mënyrë të pavarur dhe të dy palët duhet të premtojnë se do ta respektojnë rezultatin.

“Ne presim që Kolegji Zgjedhor të marrë një vendim të bazuar në ligj, pa presionin e asnjë prej partive. Ky është detyrim ligjor”, tha Kantrimen duke nënvizuar se “në aspektin politik, ne presim që të dy palët të shmangin kërcënimet për demonstrata dhe dhunë nëse nuk u pëlqejnë rezultatet”.

Në përfundim, zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit për Euroazinë, Tomas Kantrimen tha se “ne presim që palët të respektojnë vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe të tregojnë më shumë bashkëpunim në të gjitha nivelet e pushtetit. Perspektiva e integrimit evropian të Shqipërisë do të varet nga mënyra e zgjidhjes së këtij procesi zgjedhor. Ky proces, duhet zgjidhur përmes mekanizmave ligjore, me dinjitet dhe jo me dhunë”.