Lajme Shqip Tuesday, 08 May 2012 11:27

Tiranë (PLOTESUAR 14:00)- Sipas Ramës, takimi i sotëm ishte në kuadrin e nimës së PS-së për të komunikuar me të gjithë drejtuesit e palëve parlamentare dhe për të eksploruar mundësitë e një procesi të dakordësuar në funksion të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, që duhet të jetë mishërim i unitetit kombëtar siç e parasheh Kushtetuta jonë dhe jo një noter partiak.

“Ai që çuditet nga takimi im i sotëm me Ilir Metën, nesër me Shpëtim Idrizin dhe më pas me Sali Berishën i them se kur flasim për dialog do të thotë dialog edhe mes kundërshtarëve, nuk do të thotë, ne monologun tonë dhe qeveria monologun e vetë”, tha Rama. Ai shtoi se, “Shqipërisë i duhet sot një president, i cili të garantojë në radhë të parë kapërcimin e kësaj prove  jashtëzakonsisht të rëndësishme për të marrë statusin e kandidatit”.

“Është koha për të komunikuar me të gjithë, është koha për të dhënë gjithçka që mund të japim në mënyrë që nga ky proces të dalë rezultati i pritshëm në funksion të interesit kombëtar, qytetar dhe në funksion të procesit të integrimit”, tha në përfundim Rama. (LajmeShqip.com)

***********************************

Tiranë (PLOTESUAR 13:45)- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e vlerësoi konstruktiv takimin e sotëm me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe që sipas tij, i shërben zgjerimit të dialogut politik në dobi të përmbushjes së objektivit madhor për integrimin e vendit në BE.

“Theksoj rëndësinë e thellimit të dialogut mes aktorëve parlamentarë dhe jashtë parlamentit, me qëllim kryesor përmbushjen e disa objektivave të rëndësishme dhe imediate që u parashtruan dhe nga Komisioneri për Zgjerimin, Fyle në vizitën e fundit në Tiranë, dhe të cilat i kemi nënvizuar si prioritete afatshkurtëra, të domosdoshme për t’u përmbushur si: reforma zgjedhore, ajo parlamentare, zgjidhja e çështjes së imuniteteve për zyrtarët e lartë. Të treja këto, duhen përmbyllur para se të nisim me procedurat zyrtare për zgjedhjen e Presidentit të ri, proces për të cilin jemi shprehur qartë se duhet të jetë kushtetues e konstruktiv, në mënyrë që Shqipëria ta marrë me çdo kusht dhe me çdo çmim, statusin e vendit kandidat, brenda këtij vit”, tha Meta.

“Takimi ishte konstruktiv dhe ne besojmë se ky dialog të vijojë me intensitet mes gjithë aktorëve parlamentarë”, u shpreh kryetari i LSI-së. (LajmeShqip.com)

***************************

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta do të zhvillojnë sot rreth mesditës një takim.

Burime nga LSI, konfirmuan se takimi pritet të zhvillohet në në orën 12.30 në ambientet e hotel “Sheraton”, në Tiranë ndërsa mësohet se zgjedhja e Presidentit të ri, do të jetë në qendër të bisedimeve mes Ramës dhe Metës.

Ky takim vjen pas ftesës publike që kryesocialisti  i bëri Kryeministrit Sali Berisha, kreut të LSI-së, Ilir Meta dhe krerëve të partive të tjera parlamentare për t’u takur në kuadër të bisedimeve për zgjedhjen e presidentit të ri. (LajmeShqip.com)