Lajme Shqip Saturday, 14 January 2012 12:12

Tiranë – Diskutimet mbi reformën zgjedhore në kuadër të marrëveshjes mes Partisë Demokratike dhe Socialiste dhe zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës, kanë qenë dy çështjet më të debatuara në këtë javë politike.

Të enjten në mbledhjen e parë të Konferencës së Kryetarëve për vitin 2012 pati debate të shumta mbi miratimin e kalendarit të 3 javor të punimeve të Kuvendit.

Kalendari i propozuar nga administrata e Kuvendit parashikonte fillimin e punës në komisione parlamentare të shqyrtimit dhe diskutimit të ligjeve të depozituara në Kuvend dhe të kodeve e projektligjeve që kërkojnë 3/5, sipas marrëveshjes së 14 nëntorit 2011, të miratuar nga të gjitha grupet parlamentare. Por kreu i grupit socialist Gramoz Ruçi kërkoi të hiqen nga kalendari pr/ligjet e mbetura që kërkojnë shumicë të cilësuar.

Megjithë refuzimin e përfaqësuesve të PS-së për të filluar punën me këto p/ligje, Konferenca e Kryetarëve miratoi me shumicë votash kalendarin e ri të punës.

Për këtë çështje Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i kërkoi kryeministrit Berisha të mbajë premtimin e dhënë duke pranuar çdo propozim të opozitës për reformën zgjedhore.

Ndërsa pas një takimi mes kryetarëve të partive opozitare, përfaqësuesi i opozitës, Preç Zogaj deklaroi se opozita mbështet sistemin zgjedhor proporcional-kombëtar dhe do të punojë për realizimin e kësaj kërkese.

Ndërkohë kjo javë ka pasur mjaft deklarata edhe në lidhje me zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës këtë javë janë shprehur ambsadorët Sequi dhe Wollfarth.

Kreu i Delegacionit të BE-së, Ettore Sequi, theksoi se, “duke lexuar Kushtetutën e Shqipërisë, e cila është shkruar nga vetë shqiptarët, kam parë se në nenin 86 të saj, Presidenti i Republikës përshkruhet si bashkimi i shqiptarëve. Atëherë përsa i përket mekanizmit sesi mund të zgjidhet, këtë pjesë ua lë juve”.

Ndërsa kreu i Prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth u shpreh se, për Presidentin duhet të gjendet një konsensus i ngjashëm me atë që u gjet për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Megjithë javën që lamë pas duket se do të vijojnë diskutimet mbi kto dy çëshjte që shqetësojnë politikën shqiptare në këtë fillim viti. Pas një marrëveshjeje të arritur në fund të vitit të shkuar duket se ka ardhu krisja e parë mes maxhorancës dhe opozitës në Kuvend.

Ndërkohë që çështja e zgjedhjes së Presidentit të ri dhe emrat se kush mund të pasojë Bamir Topin në krye të shtetit, duket se do të jetë një temë që do të diskutohet gjatë në politikën shqiptare. Fakti i pakundërshtueshëm është se Presidenti do të zgjidhet në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë.