Lajme Shqip Friday, 01 June 2012 11:04

Tiranë (PLOTESUAR)- Kryetari i Partisë Socialiste takoi sot në selinë rozë zotin Xhezair Zaganjori me kërkesën e këtij të fundit.

Kryesocialisti dëgjoi me vëmendje gjithë çfarë dëshironte t’i shprehte zoti Zaganjori, lidhur me paraqitjen e emrit të tij nga ana e qeverisë si kandidat potencial për President i Republikës. Nga ana e tij, Edi Rama i tha zotit Zaganjori se Partia Socialiste vazhdon të kërkojë një proces deri këtu të munguar, ku të gjitha palët parlamentare të përfshihen në një dialog konstruktiv.

Për Partinë Socialiste mbetet shumë e qartë se nga një proces dialogu konkret mes qeverisë e opozitës dhe konsultimesh intensive mes palëve parlamentare duhet të shkohet drejt emrit të Presidentit të ri të Republikës, jo anasjelltas. Prandaj edhe Partia Socialiste nuk do ta mbështesë në asnjë rast një kandidaturë të paraqitur pa proces dhe në rrugë krejt të njëanshme nga qeveria. Kjo, theksoi kryesocialisti gjatë takimit, vlen konkretisht qoftë për kandidaturën e zotit Xhezair Zaganjori, qoftë për çdo kandidaturë që do të paraqitej apo paraqitet nga qeveria nëse mungojnë dialogu konkret dhe konsultimet e domosdoshme për gjetjen e një kandidati apo kandidateje të dakordësuar mes qeverisë e opozitës.

Kryetari Edi Rama dhe Partia Socialiste mbeten plotësisht të angazhuar për një proces politik dobiprurës, në funksion të kalimit të provës shumëplanëshe ku e ka vënë Shqipërinë dhe politikën shqiptare si e tërë zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës.
Kohë për të humbur si deri më sot nuk ka dhe konsultimet duhet të nisin menjëherë, në një tryezë dialogu konkret të nivelit më të lartë mes palëve për t’i dhënë një shans real raundit të dytë dhe vetë Shqipërisë. Vetëm kështu mund të ndërtohet konsensusi i domosdoshëm që do të zgjidhte pozitivisht njërën nga katër pikat kyçe të paketës për të synuar statusin e vendit kandidat në BE, atë të zgjedhjes së Presidentit të ri, si edhe do të krijohej hapësira e nevojshme kohore për të ecur shpejt drejt zgjidhjes konsensuale të tre pikave të tjera.

Menjëherë pas takimit me kryesocialistin, kandidati Xhezair Zaganjori i është drejtuar lokalit “Princ Park” në Tiranë ku është takuar me kreun e PDIU, Shpëtim Idrizit. Pas takimit prej 45 minutash, asnjë prej tyre nuk ka dhënë komente për median. (LajmeShqip.com)

***************************************

Tiranë – Kandidati konsensual për president i maxhorancës qeverisëse, Xhezair Zaganjori zhvilloi sot një takim në selinë rozë, me Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, ku parashtroi arsyet e kandidimit të tij për postin e Kreut të Shtetit.

“Kemi pasur një njohje me njëri- tjetrin nga larg dhe në këtë takim u prezantuam më nga afër dhe patëm rastin të diskutojmë me njëri-tjetrin. Unë i parashtrova arsyet të cilat më kanë shtyrë për të marrë vendimin për të kandiduar për President, gjë që nuk e kam pasur të lehtë. Mendoj se ky takim është në të mirën e debatit dhe procesit që po zhvillohet. Këtë takim e kërkova unë, ndërkohë që me z. Rama bëmë një bisedë ku unë nuk i kërkova të shprehej për këtë çështje dhe ai nuk kishte detyrim që të përgjigjej”, tha Zaganjori për mediat, pas takimit me kreun e PS-së.

Ndërkohë, Kryetari i PS-së Edi Rama nuk pranoi të komentonte për mediat takimin me Zaganjorin. (LajmeShqip.com)