Lajme Shqip Sunday, 11 March 2012 12:31

Një doktor në Japoni ka hyrë në telashe me policinë pasi ka postuar në YouTube pamjet teksa drejtonte me shpejtësi një makinë tip “Ferrari”.

Ai është duke u përballur me akuzën e tejkalimit të kufirit të shpejtësisë, pasi pamjet tregojnë se ai i ka dhënë makinës me 124 kilometra në orë, në një zonë ku limiti ishte 40 km/h.

Doktori 50-vjeçar nga Okaua, në prefekturën e Fukuokës, u denoncua në polici nga përdorues të ndryshëm të faqes së internetit kushtuar videove, të acaruar nga veprimi i tij.

Kur u mor në pyetje nga policia, ai tha se dëshironte t’u tregonte njerëzve se sa e bukur ishte makina e tij.

Videoja prej 6 minutash, e titulluar “Ferrari 458 Italia Drive in Japan 2011”, u filmua me një kamera të pozicionuar prapa shoferit, video të cilën tashmë YouTube e ka fshirë.

Ajo tregon makinën që niset nga një parking nëntokësor dhe më pas ecën me shpejtësi përgjatë rrugëve të Fukuokës, në jug të Japonisë.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e 24 prillit të vitit të kaluar, por arrestimi i 50-vjeçarit u krye vetëm në ditët e fundit, pas një hetimi disamujor të policisë, që mblodhi denoncime nga të paktën 84 persona.

Sipas një të përditshmeje japoneze, policia zbuloi shpejtësinë e makinës duke u bazuar në distancën e përshkuar dhe në kohën që i ishte dashur automjetit.