Tiranë – Teatri Kombëtar i Komedisë do të inaugurohet mbrëmjen e nesërme me premierën e parë që do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar, “XXL TV” nga Stefan Çapaliku.
Pas punës së nisur në fillim të muajit nëntor, regjisorët Çapaliku dhe Naun Shundi, do të sjellin një komedi që prezanton prapaskenat e televizionit. Të mësuar duke parë televizionin që shkon tek teatri kësaj here është ky i fundit që shkon tek ai.
Autori i veprës, Çapaliku, e ka cilësuar “XXL TV” si një komedi që lëviz mes komedisë dhe dramës. “Nuk do të jetë një komedi klasike që mbështetet tek loja apo keqkuptimi, por do të jetë një dramë komike. “XXL TV” do të përpiqet të tregojë se ka dy të vërteta, ajo reale dhe ajo që krijon media”, është shprehur ai.
Janë 7 aktorë që do të luajnë 11 personazhe, të cilat ndryshojnë dhe transformohen vazhdimisht. Bujar Asqeriu, Mehdi Malka, Olta Daku, Lulzim Zeqja, Flaura Kureta, Marsela Lena dhe Roland Saro janë aktorët që me anë të lojës së tyre do të sjellin për publikun mënyrën se si manipulohet e vërteta nga media.
Ngjarjet zhvillohet në studion e një stacioni televiziv, që ndodhet i vendosur në katin e dytë të një ndërtese në qendër të qytetit, mbi Bankën Kombëtare. Është mëngjesi i parë në një televizion privat që përpiqet të mbijetojë me të gjitha format duke përcjellë një realitet fals.
Në hapjen e Teatrit Kombëtar të Komedisë, ditën e nesërme, të pranishëm do të jenë edhe kryeministri shqiptar Sali Berisha dhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi. Shfaqja do të ngjitet në skenën e vogël të TKK-së, duke qenë se ky institucion i ri nuk ka ende një sallë të tijën, me skenografi të Fatbardh Markut dhe kostumografi të Anila Zajmit.
“XXL TV” është premiera e parë që pritet të hapë sezonin artistik të këtij institucioni të ri e cila është përzgjedhur nga bordi artistik i TKK-së, pas një konkursi për dramën shqipe. Komedi të reja pritet të ngjiten në skenë gjatë sezonit të ri artistik 2012-të.
Friday, 16 December 2011 15:00