Aktori veteran Xhevat Qorraj është laureati i çmimit kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu”.
Çmimi do t’i dorëzohet nga ministri i Kulturës, Kujtim Shala, në një ceremoni që do të mbahet sot (e martë) në MKRS. Për nderimin e Qorrajt me këtë çmim, i cili ka vlerë financiare prej 5 mijë eurosh, ka vendosur juria e përberë nga Musa Ramadani, Lindita Zeqiraj, Bekim Lumi, Drita Krasniqi dhe Besim Rexhaj, shkruan sot “Koha Ditore”.
E njëjta ka vendosur që Çmimi Vjetor për Kinematografi me vlerë financiare prej 2.500 eurosh t’i ndahet regjisorit Agim Sopi për filmin “Agnus Dei”.
Qorraj (1947), që aktualisht është anëtar i Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka kryer studimet në Akademinë për Teatër, Film dhe Televizion në Beograd, kurse nga viti 1972 ishte punësuar si aktor i ansamblit rezident në Teatrin Kombëtar të Kosovës, që asokohe njihej si Teatri Popullor Krahinor.
Në karrierën e tij ka 60 role në teatër dhe në film. I takon plejadës së gjeneratës së parë të aktorëve. Ka luajtur në “Kur pranvera vonohet”, “Rojet e mjegullës” “Era dhe lisi”, “Binarët”, “Kulla” “Tre veta kapërcejnë malin”, por edhe në filmat e realizuar pas luftës, si në “Tri dritare dhe një varje”, “Kodi i jetës” etj.
Me rolin e Babait të Madh në shfaqjen “Macja mbi çatinë e nxehtë” të regjisorit Florent Mehmeti në TKK, më 2010 u pensionua. “Nuk do ta lë aktrimin. E vetmja gjë që do të ndryshojë është se tani do të zgjedh rolet që më ofrohen dhe do t’i pranoj vetëm ato që më pëlqejnë më shumë”, kishte thënë aktori në një bisedë për “Kohën Ditore” në mars të 2010-s, në prag të pensionimit.
Ndërsa Agim Sopi me “Agnus Dei”, që është dhënë premierë qysh më 2012, ka marrë mbi 30 çmime në festivale ndërkombëtare.
Tuesday, 28 July 2015 14:34