Lajme Shqip Saturday, 28 January 2012 13:23

Prishtinë- Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka emëruar Albert Kuçin në pozitën e zëvendësambasadorit në Çeki, pa shpallur fare konkurs dhe pa i përfillur ligjet në fuqi, të cilat e precizojnë se si duhet të bëhen emërimet e shërbyesve diplomatikë, duke filluar nga shpallja e konkursit, intervistimet e kandidatëve e deri te punësimi i tyre, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Për Kuçin, që më parë nuk ka qenë pjesë e shërbimit diplomatik, por që e ka drejtuar një restorant në shtetin çek, Hoxhaj është treguar shumë “dorëlirë” duke ia dhënë gradën “Ministër Këshilltar”, gjithashtu pa i përfillur procedurat ligjore në fuqi.

Sipas të dhënave në internet, Albert Kuçi është një biznesmen në Pragë të Çekisë që drejton kompaninë e patundshmërive “ADAL Group s.r.o”, e cila është themeluar më 29 korrik të vitit 2005.