Prishtinë-“Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në rastin e Kosovës, ka qenë edhe një fitore tjetër e saj”, tha sot në Prishtinë Sir Michael Wood, ish përfaqësuesi ligjor i Republikës së Kosovës pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Avokati Michael Wood gjatë takimit me zv/kryeministrin dhe Ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, theksoi se, “Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka pranuar opinionin, megjithëse Serbia është munduar që të nxirret një rezolutë, që do të ishte jo e dobishme për të ardhmen e Kosovës”.
“Kosova me miqtë e saj kanë arritur që kjo të mos bëhet dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar një rezolutë, e cila ka çuar në dialogun teknik”.
Sipas tij, në dialogun teknik ka pasur progres, por edhe një ngecje me implementim nga ana e Serbisë.
Zv/kryeministri Kuçi falënderoi avokatin Wood për punën që ka bërë në prezantimin e drejtë të çështjes së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si dhe prezantimin e legjitimitetit demokratik dhe juridik të vullnetit që Kosova ka pasur për gati një shekull.
Michael Wood po qëndron në Kosovë me ftesë të Ministrisë së Drejtësisë, ku dhe do të nderohet me çmimin “Sali Çekaj” për drejtësi për vitin 2011, për merita të jashtëzakonshme në drejtësi dhe mbrojtje profesionale të ligjshmërisë së Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës pranë GJND-së. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 December 2011 19:36