Lajme Shqip Thursday, 19 January 2012 14:00

Tiranë-Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth tha sot se, “konsensusi që u arrit në fund të vitit të kaluar mes maxhorancës dhe opozitës duhet të vazhdojë për hir të së ardhmes së vendit, pasi ky konsensus është i nevojshëm për përgatitjen e rrugës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për BE dhe integrimin e mëtejshëm europian”.

Në një prononcim për mediat mbi situatën politike në Shqipëri, Wolfarth tha se, “Kushtetuta shqiptare është shumë e qartë kur vjen fjala te konsensusi, pasi ajo thotë në terma të përgjithshëm se, konsensusi është i nevojshëm për vendime themelore”.

“Nëpërmjet zyrtarëve të saj publik, Shqipëria e ka shprehur vazhdimisht se ajo dëshiron të bëhet një partnere e BE-së dhe sidomos për këtë çështje themelore është shumë i rëndësishëm konsensusi”, tha ai.

Në këtë drejtim, Wolfarth tha se, është shumë e rëndësishme që vendimet themelore të merren pikërisht me konsensusin dhe me mbështetjen e maxhorancës dhe opozitës.

Ambasadori i OSBE-së ripërsëriti edhe njëherë ftesën për partitë politike, të cilat sipas tij, “duhet të bëjnë maksimumin e tyre për të gjetur konsensusin, i cili është i nevojshëm dhe kërkohet nga Shqipëria në marrjen e këtyre vendimeve kaq të rëndësishme”.

I pyetur mbi ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, ambasadori i OSBE-së tha se, “nga një zyrtarë publik, cilido qoftë ai, do të prisja që t’ia kushtonte gjithë kohën e tij, detyrës për të cilën ai është emëruar”.

“Unë e shoh jo vetëm legjitime, por edhe të rëndësishme që të bëhen pyetjet e nevojshme dhe t’u jepet përgjigje në mënyrën e duhur në parlament, që është vendi i duhur për këtë. Një zyrë publike, një funksion publik i paguar nga taksapaguesit, duhet të respektohet dhe detyra të kryhet ashtu siç duhet”, tha ai.

Sipas ambasadorit Wolfarth, “kur bëhet fjalë sidomos për sjellje të funksionarëve për detyra kaq të larta, parlamenti është vendi i vetëm ku mund të debatohet”.

Për sa i përket qëndrimit të opozitës për këtë çështje, Wolfarth tha se, “nuk shoh ndonjë problem dhe ndonjë ndryshim nga opozita, pasi kur vjen fjala për qëndrimin ndaj rregullave demokratike, opozita i respekton këto rregulla ashtu si maxhoranca”. (LajmeShqip.com)