Prishtinë – Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, në interpelancën e kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se operacioni për vënien e rendit dhe ligjit në veri ka qenë i suksesshëm dhe për herë të parë, sipas tij, qytetarët e asaj pjese kanë ndjerë dorën e shtetit të Kosovës.
Interpelanca e kryeministrit Hashim Thaçi në Kuvendin e Kosovës, ka nisur me akuza nga paraqitësit e kërkesës Lëvizja Vetëvendosje. Ata kanë kërkuar përgjegjësi nga kryeministri për situatën e krijuar në veri të vendit. Kryeministri Thaçi ka shpjeguar para deputeteve suksesin që ka arritur Kosova pas datës 25 korrik kur edhe është intervenuar në veri për vënien e rendit dhe ligjit.
Thaçi, me këtë rast, ka thënë se pjesa veriore dorën e shtetit e ka ndjerë për herë të parë në vitin 2008, ndërkohë që, sipas tij, kthesa vendimtare për largimin e strukturave paralele ka ndodhur më 25 korrik. Kryeministri i Kosovës madje i ka siguruar deputetët dhe qytetarët se nuk do të ketë kthim prapa. Thaçi fajësoi UNMIK-un për gjendjen në veri, që, sipas tij, ka ndikuar në ndarjen e qytetarëve nga pjesa tjetër e Kosovës.
Ndërsa, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, fajtorin kryesor për pjesën veriore dhe që nga paslufta, e ka identifikuar kryeministrin Hashim Thaçi.
Duke kërkuar përgjegjësi nga kryeministri Thaçi për gjendjen në veri, ai tha se është e rëndësishme që ai të japë përgjegjësi për këta tre muaj, dhe po ashtu prej vitit 1999, dhe të tregojë pse atëherë është dhënë urdhër që UÇK-në, që të tërhiqet nga veriu.
Edhe partitë tjera opozitare, LDK e AAK, kanë dhënë kritikat e tyre për neglizhencë të qeverisë për çështjen e pjesës veriore.
Lëvizja Vetëvendosje, në fund të kësaj seance, ku kryeministri Thaçi është në interpelancë për veriun, do të paraqesë një mocion katërpikësh për miratim. (LajmeShqip.com)
Thursday, 27 October 2011 13:06