Lajme Shqip Tuesday, 18 October 2011 13:20

Bankat kanë mbajtur të shtrënguara standardet e kredtimit për bizneset dhe individët edhe në tremujorin e tretë të vitit.

Vrojtimi i aktivitetit kreditor i kryer nga Banka e Shqipërisë tregoi se faktorët me kontributin kryesor në kahun shtrëngues të standardeve të kredisë për bizneset, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2011, janë gjendja e huave me probleme në sistemin bankar dhe situata makroekonomike në vend.

Shtrëngimi i standardeve u aplikua si për ndërmarrjet e vogla e të mesme, ashtu edhe për ndërmarrjet e mëdha.

Për sa ju takon individëve, ekspertët e bankave kanë vlerësuar se gjendja e likuiditetit, huatë me probleme si dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme ndikuan në kahun shtrëngues të standardeve të kredisë.

Standardet e kredisë dhënë individëve u shtrënguan më shumë për kreditë me qëllim financimin e konsumit, se ato për blerjen e banesës.

Për tremujorin e katërt të vitit 2011, ekspertët bankarë presin që standardet e kredisë për bizneset në total të vijojnë të jenë të shtrënguara veçanërisht për bizneset e mëdha, ndërsa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme pritet që ato të lehtësohen disi.

Ndërsa individët standardet e kredisë pritet të qëndrojnë të shtrënguara.

Kërkesa për kredi, në të gjitha segmentet, u vlerësua negativisht në tremujorin e tretë të vitit 2011. Por, pritjet për kërkesën e bizneseve dhe të individëve për kredi, për tremujorin e katërt të vitit 2011, janë pozitive dhe më të larta krahasuar me nivelet e regjistruara deri tani gjatë këtij viti.