Lajme Shqip Friday, 04 May 2012 17:13

Shkup (PLOTESUAR 19:35)- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Poll Uolers deklaroi se Ambasada e SHBA-ve në Shkup ende nuk është njoftuar me dëshmitë për personat e akuzuar në rastin e vrasjes së pesëfishtë afër Liqenit të Smilkovcit. “Në botë ka ngjarje terroriste, dhe ne vetë ishim viktima të terrorizmit, dhe e di se kjo çështje këtu kuptohet seriozisht. Duhet të presim, ta shohim gjykimin dhe dëshmitë”, deklaroi ambasadori Uolers, në pyetjen e gazetarëve për atë nëse Maqedonia po përballet me rrezik nga islamistët radikal, raporton Koha.

Në deklaratën e dhënë gjatë vizitës në komunën Kisella Vodë Ambasadori Uolers, tha se ai shpresonte se sistemi juridik do të funksionojë sipas ligjeve, në mënyrë që qytetarët të mund të kenë siguri se personat e vërtetë janë dënuar. “I ndjekim zhvillimet pas vrasjes së tmerrshme më 12 prill, dhe sinqerisht bashkëndjejmë me familjet e viktimave. E ndjekim prej afër procesin, arrestimet dhe hetimin, do ta ndjekim edhe procedurën gjyqësore. Me rëndësi është të respektohen procedurat e rregullta, në mënyrë që ata të cilët e kanë kryer këtë vepër të nxirren para drejtësisë. Sistemi juridik duhet të veprojë sipas rregullave dhe ligjeve, që qytetarët të kenë besim se janë dënuar personat e vërtetë. Ministrja Jankullovska edhe vetë tha se do ta ndjekë procedurën dhe të lejojmë që ajo të ndodhë”, deklaroi ambasadori Uolers. (LajmeShqip.com)

****************************

Uashington  – Departamenti amerikan i Shtetit kërkoi që të respektohet procesi ligjor, për të qenë e kënaqur drejtësia në rastin e vrasjes së pesëfishtë afër Liqenit të Smilkovcit.

“Natyrisht, që e ndjekim nga afër zhvillimin e hetimeve, por vetëm bëjmë thirrje që të gjithë të dyshuarve për këtë vrasje të tmerrshme, pa marrë parasysh etninë e tyre, identitetin apo besimin fetar, t’u mundësohet proces konform ligjeve dhe në fund të sigurohet se drejtësia do të përmbushet”, deklaroi zëdhënësi Mark Toner në një konferencë për shtyp në Deparmentin e Shtetit.

Toner u përgjigj në pyetjen e gazetarit të Zërit të Amerikës nëse SHBA-ja ka informacione për kërcënim nga Islami radikal në Maqedoni, në kontekst të konstatimeve të ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, se disa prej të arrestuarve janë ithtarë të tij dhe se kanë luftuar në anën e talebanëve kundër NATO-s, në Afganistan dhe Pakistan.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit shtoi se Ambasada në Shkup me vëmendje është duke e ndjekur rastin. (LajmeShqip.com)