Lajme Shqip Friday, 01 June 2012 13:00

Për më shumë se pesëmbëdhjetë minuta, këngëtari Besnik Qaka është endur të mërkurën nëpër korridoret e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë. I veshur sikur do të dilte në ndonjë koncert, Qaka tentoi t’u fshihej mediave dhe nuk dha prononcime.

Ndaj vokalistit të “NRG Band” dhe shtatë personave të tjerë është ngritur aktakuza për abuzim seksual me persona nën moshën 16 vjeçare, që me Kodin Penal të Kosovës sanksionohet me burgim deri në dhjetë vjet. Por seanca e konfirmimit të aktakuzës është shtyrë për 3 korrik pasi kanë munguar personat e tjerë të përfshirë në padi.

Aktakuza e ngritur nga prokurori publik Haxhi Dërguti akuzon shtetasit Nysret Jasharin 27 vjeç, i cili më parë ka qenë i dënuar për vjedhje, Kushtrim Hysenin 29 vjeç, Driton Hysenin 32 vjeç, Dashnim Aliun 27 vjeç dhe Elbasan Behlulin 23 vjeç, të gjithë nga Ferizaj, se kanë kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur, por në vende dhe periudha të ndryshme. Pjesë e së njëjtës aktakuzë janë edhe Hamdi Emërllahu 29 vjeç nga Komuna e Vitisë, Fatmir Reshani 29 vjeç nga Suhareka dhe Besnik Qaka 30 vjeç.

Ka qenë fundi i muajit tetor i vitit 2008 kur, sipas akuzës, Besnik Qaka ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën M.H. Në periudhën e aktit ajo ka qenë nën moshën 16 vjeçare dhe marrëdhëniet seksuale nën këtë moshë janë vepër penale. Ngjarja thuhet të ketë ndodhur në motel-restorantin “Rama Petroll”, në magjistralen Prishtinë-Lipjan.

Sipas prokurorit Qaka kishte keqtrajtuar madje seksualisht të dëmtuarën M.H. Ai akuzohet se e ka qenë i vetëdijshëm për moshën e saj, pavarësisht se ajo e ka lejuar pa kundërshtuar. Por ky fakt nuk e përjashton Qakën nga akuza që ka kryer vepër penale.

Vetë lideri i “NRG Band” mohon të ketë kryer marrëdhënie seksuale me të miturën. (Koha Ditore)