VLORË.-Katër personalitete, mes të cilëve Musa Demi, protagonist në periudhën e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, nga krahina e Çamërisë, Ramush Haradinaj, ish-kryeministër i Kosovës, Sami Lushtaku e Sokol Bashota, ish-drejtues të UÇK, sot titullarë të qeverisjes vendore në komunat Skënderaj e Klinë, në Kosovë, u vlerësuan me titullin “Qytetar Nderi” të Vlorës.
Ceremonia e dorëzimit të titujve u zhvillua të shtunën, në një nga mjediset e Pallatit të Kulturës “Labëria”, në prani të dhjetra qytetarëve vlonjatë dhe atyre të ardhur nga Kosova.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, vlerësoi kontributin e këtyre personaliteteve , në kohë dhe periudha të ndryshme, jashtë kufijve të Shqipërisë, si dhe në funksion të çështjes kombëtare.
Për kryebashkiakun, kjo është simbolika që bashkon aktivitetin dhe figurën e tyre, duke e bërë atë edhe më të prekshme. Vlora e 28 Nëntorit, e themeleve të Shqipërisë, është sot panteoni i kuq i kombit. Ajo ka përgjegjësinë historike për të qëmtuar kontributet, për të qëmtuar figurat, për të evidentuar ato vlera që na bëjnë nder të gjithëve dhe që i shërbejnë të tashmes dhe të ardhmes të mbarë shqiptarëve, tha Gjika.
Sami Lushtaku, një nga ish-drejtuesit e UÇK-së dhe Trupave Mbrojtëse të Kosovës, sot kryetar i komunës Skënderaj(Kosovë), tha se “Vlora dhe Skënderaj janë dy qytete heronj, si krerët e shqiponjës në flamurin kuq e zi, çka e bën edhe më të prekshëm këtë titull nderi, në 100 vjetorin e Pavarësisë”.
Ndërsa Sokol Bashota, kryetar i komunës Klinë, ish- zëvendës Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, tha se “duke ofruar vlerat tona të përbashkëta ne shpalosim identitetin tonë kombëtar”. Ai e cilësoi titullin “Qytetar Nderi”, dhuratën më sublime në 100 vjetorin e Pavarësisë Kombëtare.
Ndërkohë, deputeti i Qarkut të Vlorës, Leonard Demi, në emër të familjes dhe duke marrë titullin “Qytetar Nderi”, akorduar gjyshit të tij Musa Demi, tha se do të bëjë të gjitha përpjekjet për të vazhduar veprën që ai la pas. Në emër të Ramush Haradinajt, përshëndeti bashkëshortja e tij, Anita Haradinaj, e cila theksoi se “Vlora, ky qytet ikonë, na gëzoi me shpalljen e pavarësisë”.
Në këtë takim, foli edhe kryetari i PSSH-së, Edi Rama, i cili përshëndetjen e vet, e konsideroi një privilegj të posaçëm në këtë moment të jashtëzakonshëm, kur, siç u shpreh ai, jemi mbledhur për të nderuar luftën çlirimtare të Kosovës dhe aspiratat e pandalshme të Çamërisë.(LajmeShqip.com)
|
|
Saturday, 24 November 2012 18:57 15 February 2013 17:08
13 January 2013 15:18
4 January 2013 15:48
29 December 2012 16:24
27 December 2012 20:43
27 December 2012 19:48
24 December 2012 17:06
19 December 2012 09:24
9 December 2012 21:00
6 December 2012 16:59