Vlorë – Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, zhvilloi sot një takim me drejtues të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës, në qendër të të cilit ka qenë roli i efektivave të policisë në zbatim të ligjit në zgjedhjet vendore të 8 majit.
Në komunikatën zyrtare të policisë, bëhet e ditur se ministri Nishani ka kërkuar nga të pranishmit respektimin me rigorozitet të ligjit mbi Policinë e Shtetit dhe atij zgjedhor, i cili tashmë është më i plotë dhe një avantazh e mundësi më shumë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Në fjalën e tij, në këtë takim të zhvilluar pa praninë e medias, Nishani është fokusuar edhe tek masat që duhet të marrë Policia e Shtetit me qëllim përballimin me sukses të sezonit veror dhe krijimin e kushteve të nevojshme të sigurisë për pushuesit.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka garantuar paanshmërinë e Policisë së Shtetit në procesin zgjedhor dhe angazhimin e saj maksimal për ruajtjen e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor, si dhe gjatë sezonit turistik.
Monday, 02 May 2011 19:10