Lajme Shqip Sunday, 15 May 2011 17:48

Vlorë – Prej dy ditësh në qytetin e Vlorës po zhvillohet Edicioni i Tretë i Festivalit Ndërkombëtar “Aulona International Folk Festival”, që organizohet nga Qendra Kulturore “Aulona”. Ky aktivitet po zhvillohet skenën e improvizuar në sheshin përpara pallatit të Sportit “Flamurtari”, ku qindra qytetarë ndjekin koncertet e grupeve pjesëmarrëse.

Në natën e parë të Festivalit, në skenë u ngjitën grupet e arbëreshëve të Italisë, të Polonisë, Bullgarisë dhe Ansambli “Labëria”, të cilët performuan me pjesët e tyre më të zgjedhura. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, pjestarët e këtij aktiviteti janë zhvendosur në Parkun Kombëtar të Llogorasë dhe në mjedise të tjera ku janë bërë pjesë e aktiviteteve të ndryshme me natyrë promovuese për turizmin.

Drejtori i përgjithshëm i festivalit, Sejmen Gjokoli, thotë se, “përveç misionit kryesor që ai ka në shërbim të turizmit kulturor, është menduar që të jetë edhe një nisje e aktiviteteve festive në kuadrin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare”. “Ky festival folklorik ndërkombëtar, që organizohet për herë të tretë në qytetin e Vlorës do të shndërrohet në një manifestim të folklorit evropian”, shprehet Gjokoli, që shton se, “Aulona International Folk Festival”, ndihmon në mënyrë të drejtpërdrejtë në promovimin e resurseve turistike të qytetit.

Organizatorët synojnë ta shndërrojnë atë në një traditë, si një aktivitet me karakter të drejtpërdrejtë burimor e tradicional, duke u udhëhequr nga parimet e CIOFF(Organizata Ndërkombëtare e Organizimit të Festivaleve Folklorike). Festivali, do të ketë natyrë konkurruese dhe me çmime.

Në këtë festival marrin pjesë 8 grupe folklorike nga Bosnje- Hercegovina, Bullgaria, Italia, Kosova, Kroacia, Polonia, Turqia dhe Shqipëria.

President nderi i festivalit, është poeti akademik Jorgo Bulo.