Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 11:10

Vlorë – Kur kanë mbaruar zgjedhjet e 8 majit për pushtetin vendor, qytetarët vlonjatë mbajnë opinionin se fushata e fundit elektorale ishte gara më e bukur dhe e fortë, zhvilluar ndonjëherë në Vlorë, pasi për herë të parë, në betejën elektorale rivalët u shfaqën me alternativat e tyre për të ardhmen e Vlorës.

Gjithçka ishte meritë e dy kandidatëve kryesorë, Ardian Kollozi dhe Shpëtim Gjika, respektivisht përfaqësues të koalicioneve “Aleanca për Qytetarin” dhe “Aleanca për të Ardhmen”.

Kollozi erdhi në këtë përballje pas një përvoje të pasur politike, ku në “background-in” e tij spikasin aktiviteti parlamentar në dy legjislaturat e fundit në Kuvend si dhe drejtimi i degës lokale të Partisë Demokratike.

Në zgjedhjet e përgjithshme të korrikut 2005, Kollozi, ish- student i Dhjetorit 1990 dhe një nga emrat e evidentuar në këtë lëvizje, shënoi triumfin e parë të një përfaqësuesi të PD-së në Vlorë, që prej vitit 1997. Ai fitoi në një nga dy zonat më të vështira elektorale në Vlorë dhe së bashku me kolegun e tij të të njëjtës forcë politike, Bujar Leskaj ndryshuan ngjyrën e hartës zgjedhore në këtë qytet.

Me këtë përvojë politike dhe eksperiencën e krijuar si inxhinier në fushën e ndërtimit dhe administrimit të një biznesi të suksesshëm, Kollozi synoi dhe arriti të konceptonte një fushatë elektorale spektakolare, ku u përfshi gjithë spektri social dhe kontribuues në Vlorë.

Projekti i tij “Vlora e 30 viteve të ardhshme”, bazohej në disa kolona ku spikaste hartimi dhe miratimi i planit të përgjithshëm rregullues të qytetit, brenda një periudhe 6-mujore. Në vizionin e tij për një Vlorë evropiane, përfshihej ndërtimi i një “lungomareje” përgjatë detit, nga Uji i Ftohtë deri në Zvërnec, ndërsa qyteti do të kthehej simbolikisht me fytyrë nga deti. “Projekti i qytetit me disa qendra (policentrik), bazohet tek rivitalizimi i Vlorës së vjetër, ridimensionimi i Sheshit të Flamurit, ai i Skelës”, theksonte kandidati demokrat për Bashkinë e Vlorës, në takimet e tij elektorale.

Në projektin e vet për Vlorën e të ardhmes, ai parashikonte ndërtimin e një linje tramvaji që do t’i shërbente përmirësimit të transportit publik. Kjo pikë e projektit të Kollozit, pavarësisht që u kundërshtua ashpër nga rivali Gjika, shënonte një rikthim në traditën e Vlorës së viteve 1920-1930, ku ky lloj transporti ishte mbizotërues. Së bashku me ndërtimin e unazës së madhe të qytetit, ai synonte të zgjidhte përfundimisht problemin e qarkullimit në qytet dhe transportin publik.

Një hapësirë të veçantë në programin e vet, ia kushtoi administrimit të bashkisë, menaxhimit të fondeve dhe burimeve të brendshme të saj, krijimin e një raporti efektiv mes investimeve me zërat e tjerë të buxhetit. “Aktualisht, vetëm 25 përqind e buxhetit vjetor të bashkisë prej 1. 2 miliardë lekësh është destinuar për investime, ndërsa pjesa tjetër prej 75 përqind shkon për paga, sigurime shoqërore dhe shpenzime operative”, theksonte Kollozi, sipas të cilit, ky është një tregues mjaft i ulët, që reflekton tendencën dhe paaftësinë e stafit të bashkisë për të menaxhuar taksat e qytetarëve dhe për të garantuar investime që i shërbejnë qytetit.

Sipas kandidatit demokrat, “administrata e bashkisë është trefishuar, çka shton në mënyrë artificiale pjesën e buxhetit për të mbajtur atë, ndërkohë që duhet të ndodhë e kundërta” dhe nënvizonte se, lehtësimi i paketës fiskale me rreth 50 përqind dhe zgjerimi i bazës së tatimpaguesve, së bashku me ndryshimin e raportit të buxhetit, do të krijojnë një bazë mjaft të mirë për shtimin e investimeve dhe nxitjen e zhvillimit cilësor të qytetit në të gjitha fushat.

Pas zgjedhjeve të 8 majit dhe rikonfirmimit të kryetarit aktual, Shpëtim Gjika, kandidati demokrat, Kollozi do të shprehej se, “u shfaqën efektet e asfaltit elektoral, që unë i paralajmërova gjatë fushatës”.